E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sot votëbesimi për qeverinë e Lukas Papadhimos

ATHINE - Sot në Parlamentin grek do të kryhet votëbesimi për qeverinë e re të Lukas Papadhimos, duke iu dhënë fund kështu debateve që kanë nisur qysh të hënën pas fjalimit të kryeministrit. 

Kreu i PASOK Jorgos Papandreu e mbështeti qeverinë e re dhe kërkoi që të njëjtën gjë të bëjë edhe kreu i opozitës konservatore Antonis Samaras.

"Kalimi i përgjegjësisë në duart e një qeverie të re, përbën një ndryshim cilësor, hap një faqe të re në jetën politike", tha ish-kryeministri dhe kreu i PASOK Jorgos Papandreu nga foltorja e Parlamentit. 

Nga ana e tij përfaqësuesi i opozitës deklaroi se partia e tij i ofron besimin qeverisë së re, pasi vendi duhet të qëndrojë në eurozonë dhe në Bashkimin Europian, por nuk harroi të theksojë se pas 100 ditëve, nevojitet një qeveri e re, qeveria e Samaras, e cila do të përmbushë kërkesën për drejtësi sociale, zhvillim dhe konkurrencë. 

"Kjo qeveri ka një mandat të caktuar dhe kohë të kufizuar, por ka mundësi historike." 

Kështu theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave Evangelos Venizelos gjatë debatit parlamentar mbi deklaratat programatike të qeverisë. 

Zëvendëskryeministri theksoi nevojën për të konsoliduar tek qytetarët grekë shpresën dhe për të ndryshuar psikologjinë. 

Ai shtoi se edhe qeveria e re duhet të lëvizë menjëherë, shpejt dhe në mënyrë të përkryer për të zbatuar vendimet e 26 Tetorit dhe se "nuk ka vend per polemika politike."

Gjatë votimit të qeverisë sot nuk pritet asnjë surprizë, pasi dihet tashmë se qeveria Papadhimos përbëhet dhe mbështetet nga forcat e tre partive politike parlamentare, PASOK, Demokracia e re dhe LAOS. 

Ndërkaq Kryeministri Lukas Papadhimos do të udhëtojë të hënën në Bruksel, për takime me Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, përpara se Trojka të mbërrijë në Athinë për negociata të reja me qeverinë e tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›