E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braun i bërtet personelit, Britania e kryqëzon

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër - Kryeministri i Britanisë, Gordon Braun, u vu sërish nën presion dje, pasi një organizatë theksoi se anëtarët e personelit të Braunit e kanë kontaktuar këtë organizatë, pas daljes në sipërfaqe të akuzave për temperamentin e ashpër të kryeministrit të Britanisë. Christine Pratt, shefe ekzekutive e organizatës National Bullying Helpline, theksoi se gjatë viteve të fundit ka pasur tri apo katër kontakte, të bëra nga ana e pjesëtarëve të personelit të Braunit. Pratt theksoi se ka vendosur të flasë publikisht, pasi është shqetësuar për shkak të shpejtësisë me të cilën ministrat i kanë dalë në mbrojtje shefit të kabinetit të tyre, pas publikimit të fragmenteve të një libri, në të cilin është theksuar se Braun me sjelljet e tij ka tmerruar pjesëtarët e personelit në zyrën e kryeministrit. Në librin e gazetarit Andreë Rawnsley theksohet se Braun i ka bërtitur anëtarëve të personelit të tij dhe se ka qëlluar me grusht sedijen e automjetit pasi kishte marrë disa lajme të këqija. Zyra e kryeministrit i ka cilësuar këto akuza krejtësisht të pabaza, ndërsa Braun është justifikuar se nervozizmi i tij ka qenë i drejtuar kundër vetes. The Guardian shkruan se "sekretari i kabinetit Sër Gus ODonnell ishte nën presion dy ditë më parë për të nisur një hetim zyrtar në lidhje me akuzat. Sipas The Times, aftësia e kryeministrit për të qeverisur është vënë në dyshim pas akuzave se stafi i selisë së kryeministrit kishin kërkuar ndihmë nga një organizatë bamirëse që lufton keqtrajtimin. Gazeta i referohet një interviste televizive të shefes ekzekutive të National Bullying Helpline, Christine Pratt, se persona që punonin për zotin Braun kishin bërë "tri-katër" thirrje dhe kishin shkarkuar këshilla nga website-i i organizatës së saj. Edhe The Daily Telegraph shtyllën kryesore të faqes së parë ia kushton kësaj çështjeje. Sipas gazetës, zonja Pratt ka thënë se ishte e "tronditur" nga mohimi i menjëhershëm i akuzave nga Downing Street-it.

Ky lajm është publikuar: 23/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›