Greqi, transporti detar, në grevë 48 orëshe

Organizata greke e Transportit detar ka shpallur grevë 48 orëshe për të martën e të mërkurën e ardhshme, 10 dhe 11 prill, duke kundërshtuar vendimet që lidhen me reformën në shërbimin e tyre të sigurimeve shoqërore. Gjatë atyre dy ditëve, që përkojnë me Javën e Pashkës, asnjë anije nuk do të lëvizë.
Ministria e tranportit detar është shprehur e habitur , pasi para 15 ditësh ishte "diskutuar për kërkesat e sindikatës dhe u ishin dhënë përgjigje me shkrim dhe të argumentuara", ndërsa i fton përsëri për dialog.
Njoftimi i ministrisë së marinës vë në dukje momentin kohor, dhe thekson se do të krijojë vështirësi të mëdha për qytetarët, por edhe për turizmin dhe biznesin në përgjithësi.
Qytetarët që nuk do të mundin të udhëtojnë drejt ishujve gjatë dy ditëve të grevës, do të duhet ta bëjnë këtë të enjten dhe të premten, ditë që siç theksojnë drejtues të kompanive detare, kapaciteti i anijeve është plotësuar deri më tani 80%.