E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, u arratis nga burgu i Trikalas, Marian Kola vritet në shkëmbim zjarri me policinë

Pas një përleshjeje të ashpër me armë zjarri sot herët në agim, në zonën e Sulit në Greqi është vrarë nga policia greke i arratisuri shqiptar nga burgu i Trikalas, Marian Kola. 

Mediat greke njoftojnë se shkëmbimi i zjarrit ndodhi pranë fshatit Frosini të Sulit, ndërsa i arratisuri tjetër, Ilir Kupa arriti të shpëtojë sërish. 

Forcat speciale policore EKAM i kanë pikasur shqiptarët rreth orës 4:00 të mëngjesit duke ecur në këmbë pranë lumit Kalama, në drejtim të Shqipërisë, zonë ku ata i humbën gjurmët rreth 15 ditë më parë.

Sipas mediave që i referohen burimeve të policisë, pranë trupit të Marian Kolës u gjet një armë tip Kallashnikov, një krehër me fishekë, në xhepin e tij një granatë si dhe ushqime të gatuara. Kjo ka bërë policinë të mendojë se ata nuk ishin të fshehur në pyll, por kanë gjetur strehim në një shtëpi.

Ka rreth 20 ditë që ndjekja për Marian Kolën dhe të arratisurit e tjerë shqiptarë po vazhdon pa ndërprerje nga qindra forca policore greke, nga toka, deti dhe ajri. Kur shqiptarët e pikasën sot në mëngjes se po ndiqeshin nga policia, beteja u bë shumë e ashpër.

Nga plumbat e shqiptarëve mbeti i plagosur një polic, i cili u dërgua në spital për ndërhyrje kirurgjikale. 

Ndërkaq vazhdon një operacion i gjerë në zonë, për kapjen e të arratisurit tjetër Ilir Kupa (në foton e mëposhtme).

Shqiptarët e arratisur, të armatosur kanë javë të tëra që enden në zonat malore pranë kufirit, në pamundësi për të hyrë në tokën shqiptare. Ata kanë vjedhur disa automjete dhe i kanë braktisur ato në zona të të ndryshme për të humbur gjurmët. 

Marian Kola akuzohet si përgjegjësi kryesor për vrasjen e 25 vjeçares Katerina Zogali në 30 mars, Istmia dhe policit 37 vjeçar Jorgo Andritsopulu në 17 qershor, në Distomo. 

Me vrasjen e Marian Kolës, bëhen 3 shqiptarët e vrarë nga policia greke, pas Ermir dhe Flamur Likës, të cilët u vranë mbrëmjen e 2 korrikut në një përleshje të ngjashme. Në trupat e tyre u gjetën të paktën 20 plagë plumbash. 

Mbrëmjen e 22 marsit nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, pasi plagosën 2 roje burgu. Tre prej tyre u kapën që atë natë, ndërsa për 8 të tjerët vazhdoi ndjekja policore. 

Nga 8 të arratisurit, është arrestuar Ermal Lita pas një grabitjeje supermarketi në Peristeri, Fatos Sulaj mendohet se është larguar në drejtim të Kosovës, ndërsa nuk dihet ku ndodhen të arratisurit e tjerë, Flaulent Luli dhe Klement Cala.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›