E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ulen të ardhurat e deputetëve

ATHINE-Të ardhurat e deputetëve grekë do të ulen sërish, në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve, me qëllim zbutjen e krizës në vend.
Sipas kryetarit të parlamentit të Greqisë, Filipos Petsalnikos, bëhet fjalë për një lëvizje simbolike të fuqishme nga ana e parlamentit, për të dëshmuar se në këto kohë të vështira, është e nevojshme përfshirja e të gjithëve.
Pas miratimit të këtij propozimi, do të ulet në 150 euro shpërblimi për pjesëmarrjet e deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga 245 euro që ishte deri tani. Ky është reduktimi i dytë i këtij shpërblimi, pasi vitin e kaluar u ul nga 300 euro, në 245 euro.
Me këtë ndryshim, ulja e përgjithshme e pagave parlamentare, do të arrijë në të paktën 40 500 euro në vit për secilin.
Petsalnikos paralajmëroi gjithashtu se do të racionalizohet përdorimi i makinave të deputetëve. Deputetët e rajonit të Athinës do të përdorin për lëvizjet e tyre makina jo më të mëdha se 1 400 kubikë, ndërsa deputetët e periferisë, meqë shkojnë në zonat e tyre elektorale dhe përshkojnë distanca të gjata, do të përdorin makina deri 1 800 kubikë.
Ai theksoi se megjithatë kostoja totale e Parlamentit grek pas reduktimit edhe të pagave të deputetëve, nuk e kalon masën 3 për mijë të buxhetit të shtetit.
Përfaqësuesit e partive parlamentare Demokracia e Re, LAOS, SYRIZA, dhe komunistët deklaruan se pajtohen unanimisht me propozimin e kryetarit për uljet e mëtejshme në të ardhurat e deputetëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›