E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari, një disfatë mes vapës dhe polemikave

VLORË- Pas Skënderbeut, një tjetër skuadër shqiptare, Flamurtari, është mundur 0-2 në fushën e saj përballë Jablonecit të Çekisë, në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Europa League. Në Vlorë, në një temperaturë që i kalonte 35 gradët, skuadra nënkampione e Shqipërisë nuk i ka bërë dot ballë një kundërshtari më të organizuar dhe më të fortë fizikisht, ndonëse duhet thënë se loja ka qenë më e mirë se ajo e korçarëve ndaj Apoelit.

Ekipi i Maganit ka treguar një dëshirë të madhe në fushë, por në fakt, diferencën e bën eksperienca dhe mentaliteti dhe ato kanë qenë të dyja në krahun e çekëve. Dy golat e pësuar nga vlonjatët kanë ardhur pas dy gabimeve të pafalshme të mbrojtësve si Veliu e Ahmataj, nga më të mirët në kampionatin shqiptar. Momente që të krijojnë idenë për një skuadër tipike shqiptare, që atëherë kur pret që të bëjë diferencën, e pëson.

Në pjesën e parë, për t’u veçuar një shtyllë e çekëve pas një goditje këndi dhe disa aksione të mira të vlonjatëve, ndërkohë që në të dytën ekipi shqiptar ka luajtur mjaft mirë. Por, forca në sulm ka lënë për të dëshiruar dhe në minutën e 70-të, Lafata ka realizuar, pas një gafe të mbrojtjes, që e la të lirë në zonë.

Edhe goli i dytë erdhi pas një tjetër gabimi, ç’ka solli edhe irritimin e tifozëve. Por, një nga momentet më të pakëndshme të ndeshjes ka qenë minuta e 82-të, kur trajneri i Flamurtarit Gugash Magani nxorri nga fusha portierin Moçka për të futur Spahon. Një zëvendësim si për të thënë që ky mund të ketë bërë ndonjë “pisllëk”, por që në fakt portieri nuk ka pasur asnjë faj në të dy golat e pësuar, pasi Lafata ishte vetëm dy metra larg tij. Argumentimi ishte se portieri e kërkoi vetë, por një gjë e tillë duket se nuk qëndron.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›