E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, vazhdojnë manifestimet në kujtim të adoleshentit

Sipas policisë, 26 policë dhe tre manifestues u plagosën gjatë përleshjeve të djeshme në Athinë dhe në qytete të tjera. Mes të plagosurve figuron edhe rektori i universitetit të Athinës, Hristos Kitas, pasi u sulmua nga të rinjtë anarkistë, të cilët pushtuan rektoratin.

Disa qindra persona u arrestuan dje në Athinë, Selanik si dhe në ishullin Rodos dhe Heraklion, në Kretë. Mes personave të arrestuar bënin pjesë katër shtetas italianë, tre burra dhe një grua që u arrestuan në Athinë, dhe një shtetas spanjoll që u arrestua në Selanik.

Në Athinë dhe Selanik manifestuesit thyen vitrinat e shumë dyqaneve dhe bankave dhe dëmtuan shumë makina. Manifestuesit iu përgjigjën thirrjes së organizatave studentore dhe liceiste dhe partisë së majtë për të kujtuar vdekjen e 15 vjeçarit Aleksis Grigoropulos, vrarë më 6 dhjetor 2008 nga një polic.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›