E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vendosen tatime për ata që kanë para jashtë vendit

ATHINË- Autoritetet greke po verifikojnë llogaritë bankare të të gjithë qytetarëve në vendet e huaja, ndërkohë që Ministria greke e Financave po shikon mundësitë që të vendosë një tatim prej 10-15 për qind për të gjithë ata që kanë para jashtë shteti grek.

Mediat vendase bëjnë me dije se sipas propozimit të Ministrisë së Financave, paratë e tërhequra nga debitë në vlerë prej 150 000 euro do të tatohen deri më 15 për qind për shkak se pronarët e tyre në këtë mënyrë bëjnë pastrim parash, sepse nuk e kanë deklaruar origjinën e parave si dhe normën e interesit të marrë nga to.

Kjo do të thotë se çdokush që zotëron investime në vendet e huaja në vlerë prej 300 000 eurosh duhet të paguajë një tatim deri në 45 000 euro.

Konsiderohet se nga fillimi i vitit deri tani nga Greqia për në vendet e huaja janë nxjerrë 18 miliardë euro, ndërsa nga fillimi i vitit 2010 kjo ka arritur në 47 miliardë euro, çka ka sjellë prishjen e nivelit të likuiditetit të bankave greke.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Greke në fund të vitit 2009 depozitat në bankat greke arrinin 237 miliardë euro, ndërsa që atëherë deri në maj të këtij viti ato janë zvogëluar deri në 191 miliardë euro.

"Ktheni paratë në vend, tani është momenti'',- bëri thirrje ministri i Financave, Evangjelos Venizelos.

Autoritetet deri më tani kanë zbuluar 72 000 llogari bankare të grekëve në 42 vende të botës.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›