E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, shqiptarët: Duam nënshtetësi nga Tirana zyrare

SHKUP- Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e nënshtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Mediat bëjnë me dije se partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, edhe pse deklarojnë se i takon shtetit shqiptar të vlerësojë nëse duhet apo jo të krijohet kjo mundësi nëpërmjet rrugëve kushtetuese.

Agjensia e lajmeve INA raporton se paisja me nënshtetësi shqiptare në këtë rast do të bëhej sipas modelit të nënshtetësisë së dyfishtë, e cila lejohet nga shumë shtete.

Juristë dhe avokatët shqiptarë në Maqedoni nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha me dekretin e presidentit Topi të përmbushë fjalët e tij të viteve 90’, ku ka pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.

“Kjo duhet të realizohet, sepse ne kemi këtu rastin konkret të maqedonasve, të cilët pavarësisht asaj se ku jetojnë posedojnë edhe nënshtetësinë e Maqedonisë. Një mundësi e tillë po shfrytëzohet edhe nga shqiptarët që jetojnë në kufi me Maqedoninë, e të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedone”,- ka theksuar juristi Numan Limani.

Ligji për dhënien e nënshtetësisë është një e drejtë që dekretohet nga presidenti i Shqipërisë, dhe të drejtën e përfitimit të saj e ka secili shtetas i huaj që ka mbushur 5 vjet qëndrim të rregullt brenda territorit të shtetit shqiptar.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›