Obama apel për kompromis për borxhin e SHBA

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama u ka bërë thirrje publike ligjvënësve amerikanë, që të bëjnë kompromis dhe të arrijnë një marrëveshje për buxhetin, në mënyrë që të shmangin atë që do të ishte mospagesë e paparashikuar e borxhit në SHBA.
Në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, Obama tërhoqi vërejtjen se SHBA është vetëm një javë larg nga dështimi i mundshëm, gjë që do të dëmtonte mirëqenien ekonomike të amerikanëve dhe do të dëmtonte pozicionin e SHBA-së në botë.
Obama fajësoi për krizën ligjvënësit nga partia Republikane, duke i akuzuar ata se po refuzojnë që të bëjnë kompromis dhe se po mbështesin vetëm shkurtimet e shpenzimeve në programe, por jo edhe rritjen e taksave për amerikanët e pasur.
“Fatkeqësisht, në javët e kaluara, anëtarët republikanë të Dhomës Përfaqësuese kanë thënë se e vetmja mënyrë për të cilën ata do të votonin është, që ne të tjerët të pajtohemi me qasjen e tyre vetëm për shkurtimin e shpenzimeve. Nëse kjo ndodh,dhe në dështojmë, nuk do të kemi para të mjaftueshme për të paguar obligimet tona”, tha Obama.
Duke reaguar ndaj fjalimit të Obamës, Xhon Bohner, lideri i Republikanëve në Kongres, tha në fjalimin e tij televiziv, se SHBA nuk duhet të dështojë të paguajë obligimet- por se republikanët nuk besojnë se populli amerikan do të pranojë rritjen e kufirit të borxhit, pa bërë shkurtime domethënëse të shpenzimeve dhe pa reforma.
Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Kongres mes republikanëve dhe demokratëve të Obamës mbi kufirin e ri të borxhit, më 2 gusht, ekspertët thonë se SHBA do të humbë mundësinë e saj legale për të huazuar para dhe të paguajë obligimet e saj, duke nxitur kështu turbullira të reja globale ekonomike.