E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, vritet me armë zjarri një shqiptar 30 vjec, pas sherrit në lokal

LAMIA - Një sherr mes një grupi shqiptarësh dhe një grupi grekësh, ka përfunduar në mënyrë të përgjakshme sot pasdite rreth orës 18:00, në një lokal në Stylida të Lamias, Greqi, ku mbeti i vrarë një 30 vjecar shqiptar.

Sipas informacioneve paraprake, disa shqiptarë që ishin duke pirë në një tavernë, kanë filluar të këmbejnë sharje e kërcënime me një grup prej tre grekësh, që ishin në të njëjtin lokal.

Pronari i lokalit ndërhyri dhe për të ndaluar sherrin, dëboi shqiptarët nga lokali i tij duke kërcënuar se do njoftonte policinë. 

Dëshmitarët thanë se shqiptarët u kthyen pas disa minutash, duke kërcënuar pronarin dhe klientët me një thikë.

Atëherë pronari, një shtetas grek 54 vjec, rrëmbeu një armë gjahu që mbante në kuzhinën e lokalit dhe qëlloi mbi shqiptarët duke vrarë njërin prej tyre, në prani të mjaft dëshmitarëve.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, për hetimin e ngjarjes dhe për të shmangur ndonjë akt hakmarrjeje.

Policia gjeti dhe sekuestroi tre fishekë të armës së gjahut dhe një thikë.

Dy shqiptarët që ishin me 30 vjecarin që mbeti viktimë, u larguan menjëherë pas vrasjes së bashkatdhetarit të tyre dhe janë në kërkim, ndërsa pronari është arrestuar, pas ndihmës që mori në spital për plagët e lehta me thikë.

Mësohet se pak para orës 19:00, në sheshin e Stilidas, u mblodhën grupe shqiptarësh të zemëruar për vrasjen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›