E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vritet me thikë gruaja e kryepolicit në Kretë

ATHINE-Një krim i rëndë ka ndodhur mbrëmë në qendër të Iraklios, në Kretë.
Gruaja e komandantit të Policisë humbi jetën nga një sulm me thikë, ndërsa u plagos vetë kryepolici dhe një grua tjetër.

Cifti i bashkëshortëve i kishte lëshuar një banesë me qira një gruaje 35 vjecare në Iraklio. Ajo iu ishte ankuar bashkëshortëve, se një banor i pallatit e ngacmonte vazhdimisht, dhe mbrëmë drejtori i policisë 53 vjec dhe gruaja e tij 48 vjec, shkuan të bisedonin me personin, në drejtim të të cilit ishte bërë ankesa.
Sapo hapi derën e apartamentit të tij, 43 vjecari në gjendje amoku, pa dëgjuar aspak arsyen e vizitës së drejtorit të policisë dhe gruas së tij, rrëmbeu një thikë kuzhine dhe i sulmoi, duke goditur në zemër gruan 48 vjecare, e duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Burri i viktimës bëri përpjekje për të c’armatosur agresorin, por ky i fundit e qëlloi me thikë duke e plagosur. Pastaj autori i krimit goditi edhe fqinjën e tij 35 vjecare, e cila kërkoi ndihmën e ciftit dhe e plagosi atë në gjoks.
Të plagosurit u transportuan menjëherë në spital ku iu nënshtruan operacionit.
Drejtori i policisë është plagosur rëndë, por sipas mjekëve situata e tij është nën kontroll. Nga goditjet me thikë në bark ai ka marrë një plagë të rëndë në mëlci, por dhe në gjymtyrët e sipërme.
43 vjecari, autori i krimeve u arrestua nga policia menjëherë pas masakrës pa asnjë rezistencë. Policia po heton mbi ngjarjen e rëndë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›