Greqi,Tsipras merr sot mandatin për krijimin e qeverisë

Lideri i Koalicionit të së Majtës (SYRIZA), Aleksis Tsipras ka marrë sot mandatin për krijimin e qeverisë së re greke. Ai është takuar sot me presidentin grek Karlos Papulias i cili i ka dorëzuar atij mandatin për krijimin e qeverisë.
Një ditë më parë Presidenti Papulias i dorëzoi mandatin kreut të Demokracisë së Re, Antonis Samaras, i cili kishte marrë më shumë vota në zgjedhje, por ai dështoi në përpjekjen e tij për të krijuar një qeveri koalicioni. Vetëm pak orë më vonë ai deklaroi tërheqjen nga formimi i qeverisë, duke i dorëzuar sërish mandatin presidentit grek.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, në bazë të Kushtetutës greke i takon partisë më të votuar që të krijojë qeverinë, në rast dështimi, është e partia e dytë më e votuar që merr këtë të drejtë, dhe nëse edhe kjo rezulton një tentativë e pasuksesshme atëherë mandati i kalohet partisë së tretë. Në rast dështimi, brenda 30 ditësh organizohen zgjedhje e reja.
Ndërkohë lideri i Syriza-s, Alexis Tsipras do të ketë tri ditë kohë që të negociojë për të formuar qeverinë.