E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, financimi i partive vazhdon të mbetet mister

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të martën një tryezë me temë: “Transparencë në financimin e partive politike”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për mungesën e transparencës gjatë deklarimit dhe publikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të subjekteve politike, duke shkelur e neglizhuar zbatimin e ligjit në praktike.

Kujtim Bytyçi, kryesues i hulumtimit në Programin “Transparenca dhe Antikorrupsioni” ka thënë se në Kosovë, që nga paslufta e deri më tani, subjektet politike asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të bërë publike raportet e tyre financiare, përfshire të ardhurat, kontributet, burimet e financimit, pasuritë, detyrimet, kapitalin dhe shpenzimet në mënyrë të drejte. Ai ka potencuar se as me hyrjen në fuqi të Ligjit për Financimin e Partive Politike në vitin 2010, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, as ndryshime pozitive në këtë drejtim.
 

Kjo sipas tij qartë shihet në raportin e auditimit të deklaratave financiare të subjekteve politike për zgjedhjet nacionale të vitit 2010, ku shumica e subjekteve politike shkelin pothuajse çdo nen të ligjit aktual për financimin e partive politike. “Pra, të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike nuk raportohen saktë”, ka thënë Bytyçi. Ai ka përmendur edhe mos prezantimin e të hyrave dhe shpenzimeve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike që ndahet nga Buxheti i Republikës së Kosovës e që aktualisht është 0.34%.

Nijazi Kryeziu nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se “ diskursi real është se sa janë profilizuar partitë politike, por edhe se sa janë transparente brenda vetë subjektit politik”.

Nga ana e pjesëmarrëseve të tjerë janë spikatur disa çështje tjera në lidhje se si mund të rritet transparenca e financimit të subjekteve politike; si të tilla: krijimi i institucioneve shtesë të pavarura; një kontroll më rigorozë nga ana e KQZ-së, mendime pro dhe kundër se a duhet që të vazhdohet me dhënien e donacioneve nga kompanitë private apo të jepen vetëm donacione nga Fondi i Buxhetit të Kosovës për Demokratizim.
 

Po ashtu pjesëmarrësit kanë theksuar se ekziston nevoja për ndryshimin e ligjit dhe përforcimin e masave për parandalimin e keqpërdorimit të fondeve private e shtetërore që iu jepen subjekteve politike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›