E Diel, 1 Nëntor 2026

PSS: Të gatshëm ta mbështesin Tadiçin, Daçiç kryeministër

Zgjedhjet e Serbisë, të cilat u organizuan edhe në Kosovë me lehtësimin e OSBE-së dhe pajtimin e Qeverisë së Kosovës, duket se i kanë i krijuar mundësinë pasardhësit të Slobodan Milosheviçit, Ivica Daçiç, që të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë. Pozicionimi i SPS-së si parti e tretë, nuk shkaktoi asnjë habi, edhe pse befasia ka qenë që ai të fitojë 16 për qind të zgjedhjeve parlamentare, gjë që mund të shërbejë si faktor determinant në bisedimet për qeverinë e ardhshme të Serbisë, ndërsa votat e socialistëve besohet se mund të vendosin edhe se cili nga dy kandidatët e mbetur në garë për president të Serbisë – Boris Tadiçi apo Tomislav Nikoliçi – do të mund të fitojnë në balotazh.

Daçiç, që deri më tani në qeveri ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ka marrë merita për plotësimin e kushteve që mundësuan liberalizimin e vizave për Serbinë, por gjithashtu shquhet për retorikën e ashpër nacionaliste e populiste në kohën e fushatës zgjedhore, ndërsa Policia e Serbisë, që është nën urdhra të ministrisë që ai e drejton, kohët e fundit ka ndërmarrë një fushatë arrestimesh të shtetasve kosovarë që kalojnë nëpër Serbi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se emërimi i kryeministrit të Serbisë është çështje e brendshme e atij vendi, por ka shtuar se Qeveria e Kosovës pret që Beogradi të ketë një qeveri properëndimore. ndërsa një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Bruksel, në kushte anonimiteti tha se Daçiçi nuk është i preferuari i BE-së, dhe se nga Brukseli do të ketë përpjekje deri në fund që ai të mos jetë kryeministër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›