E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Venizelos: Takimi me kreun e DIMAR, hap pozitiv

ATHINE - Greqia vazhdon të përjetojë krizën që thellohet nga negociatat deri tani pa rezultat, për krijimin e një qeverie, e cila do mbajë vendin në Eurozonë, por njëherësh do rishikojë marrëveshjen e borxhit dhe masave, që kanë firmosur ND dhe PASOK me Trojkën. 

Me të marrë nga Presidenti i Greqisë mandatin për krijimin e qeverisë, kryetari i PASOK, Evangelos Venizelos zhvilloi takimin e parë me Fotis Kouvelis, kryetari i DIMAR (E Majta Demokratike, me 19 vende në parlament), takim që e cilësoi një "hap pozitiv". 

Pas takimit, Kuvelis tha se kishte sugjeruar formimin e një qeverie, me mision të dyfishtë; së pari për qëndrimin e vendit në BE dhe Euro dhe së dyti për ndryshimin e Memorandumit të masave. Kreu i PASOK e cilësoi këtë një propozim “identik” me propozimin e tij për një qeveri të unitetit kombëtar, që ka si qëllim Greqinë në euro.

Venizelos do të vazhdojë takimet nesër me kryetarin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras dhe kreun e SYRIZA, Aleksis Cipras. Kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos tha se nuk do t'i përgjigjet ftesës së Venizelos. Pas negociatave të kreut të PASOK, është radha e Presidentit Papulias të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit” për të formuar një qeveri deri në zgjedhje. 

Greqia ndodhet nën presione të shumta si nga zyrtarët evropianë ashtu edhe nga vetë huadhënësit, që e kërcënojnë atë me dëbim nga eurozona. Klima rëndohet edhe nga parashikimet e mediave të rëndësishme si “Financial Times”, apo “New York Times”, sipas të cilave, Greqia është një hap larg daljes nga euroja dhe shumë pranë kaosit e falimentimit. Lidhje te tjera Merkel: Greqia e di se çfarë duhet të bëjë për të qëndruar në euro Presioni mbi Greqinë, kësti i ndihmës nuk disbursohet i plotë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›