pyetësori, kroacia: do iu asistojmë me ekspertë
Kroacia do të asistojë Shqipërinë me ekspertë për të plotësuar pyetësorin e Komisionit Evropian, përpara se ky i fundit të përgatisë Opinionin që do t’i paraqitet Këshillit të BE-së. Kjo u bë e ditur të premten gjatë takimit mes Ministres sonë të Integrimit, Majlinda Bregu dhe Ministrit të Jashtëm kroat Jandrokovic. “Ministrja e Integrimit mori mbështetjen e plotë të Kroacisë për asistencë në nivel ekspertësh, për procesin e pyetësorit. Jandrokovic tha se ekspertët kroatë janë të gatshëm të kontribuojnë në të gjitha fazat e pyetësorit, duke dhënë eksperiencën e tyre për një fazë që Kroacia e ka kapërcyer me sukses”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Integrimit. Sipas Bregut “jemi optimistë se Shqipëria do të përmbushë brenda afateve plotësimin e pyetësorit, si dhe brenda 2010-ës do të arrijë liberalizimin e vizave, duke qenë se po përmbush me sukses kushtet e udhërrëfyesit. Shumë shpejt Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia do të lëvizin pa viza, shpresojmë që Shqipëria dhe Bosnja t’i bashkohen këtij grupi brenda korrikut”.