Greqia: Jemi të gatshëm për sakrifica
Premtimi
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, deklaroi dje në Davos se vendi i tij është i përgatitur “të djersisë deri në gjak” në mënyrë që të reformojë financat e veta dhe të rivendosë besueshmërinë e munguar përballë kreditorëve ndërkombëtarë. Papandreu deklaroi gjithashtu se nuk ka ndër mend të kërkojë ndihmë të huaj në rast se plani i tij për reduktimin e deficitit buxhetor dështon. Sipas tij, thashethemet për ndihmë nga partnerët e tjerë europianë mund të kthehen në “profeci që përmbush veten” dhe për këtë arsye, ai nuk dëshironte as ta përmendte një gjë të tillë. “Asnjë diskutim mbi një plan B nuk është në fjalorin tonë. Nuk do të zhytemi në një diskutim të tillë, as nuk duam të marrim pjesë”, tha ai.
Britania e Madhe deklaroi dje se problemet e Greqisë i përkasin Eurozonës, ku Britania nuk bën pjesë e për rrjedhojë as nuk do të përfshihet në të. Nga ana tjetër, Christine Lagarde, ministrja franceze e Financave deklaroi se një vend anëtar i euros nuk mund të shpëtohet nga falimenti nga të tjerët.
“çdo vend anëtar, Franca, Gjermania apo Greqia, nuk është më vete. Ne i japim llogari njëri-tjetrit. Eurozona është një zonë monetare që na mban bashkë. Nuk ka mënyrë për të dalë prej saj. Nuk ka sistem për të shpëtuar nga falimenti dhe ne duhet të plotësojmë premtimet që kemi dhënë”, tha ajo. Greqia do të emetojë përmes bankave të veta më 2 shkurt bonde pesëvjeçare drejtpërsëdrejti për qytetarët, duke kërkuar mbështetje popullore për shlyerjen e borxheve. Kjo gjë bëhet për herë të parë. Më 3 shkurt, Komisioni Europian pritet të publikojë opinionin e vet mbi besueshmërinë e planit të Greqisë për reduktimin e deficitit buxhetor. Më 10 shkurt, sindikatat greke pritet të dalin në grevë për të protestuar kundër planit të qeverisë, për reduktimin e pagave të sektorit publik me 3-4 për qind.
#