Tiranë, një gotë ujë dy herë më shtrenjtë
Ndërmarrja e Ujësjellësit propozon një rritje nga 20 në 40 lekë për metër kub ujë
çmimi i ujit për banorët e Rrethit të Tiranës do të dyfishohet. Nga 20 lekë për metër kub, tarifa është propozuar që të bëhet 40 lekë për metër kub, në një mijë litra ujë. Shkak për këtë ndryshim të çmimit mësohet se është bërë nevoja për investime në sistem. “Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve sh.a. Tiranë ka aplikuar për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Entin Rregullator të Ujit”, konfirmojnë përfaqësuesit zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje. Tashmë nuk mbetet tjetër, veçse miratimi i kësaj kërkese nga Enti i Ujit.
Tarifat e reja që propozohen do të jenë të diferencuara. Ato nuk janë të njëjta për të gjitha kategoritë, por e përbashkëta është se kërkohet rritja e çmimit. E vetmja kategori për të cilën Ujësjellësi i Tiranës nuk ka propozuar rritjen e çmimit janë furrat e bukës. “çmimi i ujit të pijshëm për furrat e bukës qëndron i pandryshuar, 95 lekë për 1 mijë litra ujë”, bëjnë të ditur furnizuesit me ujë të kryeqytetit.
Për entet buxhetore, çmimi i propozuar është 120 lekë për metër kub nga 75 lekë që është aktualisht. Për entet private, tarifa e re e propozuar është po 120 lekë për metër kub ujë, ndërsa çmimi i tanishëm është 95 lekë për metër kub. 150 lekë për metër kub është propozuar të bëhet çmimi i ujit për prodhimin e pijeve alkoolike, atyre freskuese, për kompanitë e prodhimit të ujit, për pishinat etj. Ndërsa për shitjen e ujit me shumicë, çmimi i këtij produkti do të rritet nga 6 në 10 lekë për metër kub ujë.
Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime sh.a. Tiranë është përgjegjëse për furnizimin me ujë të bashkive Tiranë dhe Kamzë, si dhe komunave Kashar, Yzberisht, Bërxullë, Prezë, Zallbastar, Shëngjergj, Bërzhitë, Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Krrabë. Për rrjedhim, banorët e të gjithë këtyre zonave do të duhet që shumë shpejt të paguajnë faturat e ujit me shuma të dyfishuara për shkak të tarifave të reja.
Përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës shprehen se “qëllimi kryesor i kësaj kërkese është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të Rrethit të Tiranës, nëpërmjet rritjes së investimeve në rrjetin e Ujësjellësit”.
Për vitin 2010, Ujësjellës Kanalizime sh.a. Tiranë, shpjegon se ka planifikuar të bëjë disa investime të rëndësishme në ndërtimin e linjave të reja të transmetimit, me qëllim eliminimin e lidhjeve të paligjshme dhe miradministrimin e burimeve të ujit. Në investimet e këtij viti parashikohet edhe ndërtimi i një depoje të re akumulimi, rikonstruktimi i një pjese të rrjetit të brendshëm të Tiranës, si dhe investime që, sipas drejtuesve të Ujësjellësit, pritet të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë të Tiranës. Po kështu, një nga investimet e premtuara për vitin 2010 është vendosja e 20 mijë matësve, si dhe kompletimi tërësor me matës për subjektet private dhe shtetërore. “Qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i shërbimit ndaj konsumatorit dhe rritja e nivelit të arkëtimeve”, pohojnë përfaqësuesit zyrtarë të Ujësjellësit. Ata theksojnë se “kjo është hera e parë pas 6 vjetësh, që Ujësjellësi i Tiranës bën kërkesë për rritjen e çmimit të ujit, i cili është aktualisht 20 lekë për m3 ose, thënë ndryshe, 1 mijë litra ujë kushtojnë vetëm 20 lekë (për konsumatorët familjarë)”. Gjithashtu, ata shtojnë se deri tani, Ujësjellës Kanalizime sh.a., Tiranë, ka aplikuar çmime shumë më të lira se bashkitë e tjera të vendit, ku ndërmarrjet e Ujësjellësit janë nën administrimin e pushtetit lokal. Nga ana tjetër, banorët duket se nuk e mirëpresin një rritje të çmimit të ujit, ndërsa vijojnë me ankesat se vetëm pas investimeve, që ata vetë kanë kryer, duke vendosur pompa në shtëpitë e tyre, kanë mundur që të kenë furnizim të rregullt me ujë. Po kështu, banorë në zonat periferike të kryeqytetit tregojnë se uji u vjen vetëm disa orë gjatë ditës, pa folur për presionin e ulët të tij.
#