E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza që vrau nënën, në gjykatë: Mos më dënoni me vdekje

Procesi
Anila Angjo sqaroi dje se shkrepja e armës ishte aksidentale, por prokuroria ka tjetër version

E akuzuar për dy vepra penale, atë të vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje, vajza që ekzekutoi me një plumb në zemër nënën e saj adoptive është lënë në burg. Gjykata e Rrethit të Pogradecit ka vendosur këtë masë sigurie për 29-vjeçaren Anila Angjo. Në daljen e saj të parë para togave të zeza, ku është njohur me akuzën dhe provat e paraqitura nga ana e prokurorit të çështjes, Rushit Hamzallari, autorja ka pranuar krimin duke dhënë një version të sajin për ngjarjen. Edhe pse në fund të seancës, Anila Angjo ka thënë para trupit gjykues “të zbatohet ligji”, ajo ka kërkuar zbutjen e dënimit. 29-vjeçarja që ka pranuar krimin e kryer kundër nënës së vet ka shfaqur shenjat e para të pendesës, kur është shprehur se nuk donte ta vriste. “Nuk doja ta vrisja. Qëllova një herë në ajër. Doja ta trembja dhe kërcënoja. Pastaj iu afrova me pistoletë në dorë, por erdhi afrua babai dhe më kapi nga krahu e më goditi dorën. Pistoleta u shkrep dhe e kapi në anën e majtë, afër zemrës”, ka thënë Anila Angjo. 29-vjeçarja, e mbrojtur nga avokati Ardjan çela, i caktuar kryesisht, ka kërkuar një masë të lehtë dënimi. Avokati kërkoi caktimin e një mase sigurimi më të butë, duke mbajtur parasysh moshën e së arrestuarës dhe faktin që ajo është rritur si fëmijë i birësuar, ndërsa e arrestuara kërkoi para togës të mos dënohet rëndë. “Mos më dënoni me vdekje”, ka qenë kërkesa e saj, ndërsa në fund të seancës u shpreh “të zbatohet ligji!”. Prokuroria ka paraqitur në këtë seancë provat materiale dhe kallëzimin e babait të 29-vjeçares, Jovan Angjo, sipas procesverbalit. Në seancë u sollën prova, me të cilat u pretendua që ngjarja mund të këtë ndodhur si më poshtë: Rreth orës 03:00, Anila Angjo ka shkuar në banesë, është futur në dhomën e prindërve të saj, ka ndezur cigare, të cilën ia ka shkundur në trup të ndjerës, rrethana që sipas prokurorit janë bërë për të filluar një konflikt ndërmjet tyre. Më pas ajo ka filluar t’i kërcënojë të dy, duke iu thënë se më pas do të vriste edhe veten. Në vazhdim, rreth orës 7:00 në mëngjes e arrestuara ka mbyllur derën e jashtme me çelës dhe ka filluar të godasë me shufër hekuri nënën e saj, Shpresa Angjo, ndërkohë që babai është munduar t’ia marrë pa mundur ta arrijë këtë gjë. Pas kësaj, Anila Angjo ka shkuar në dhomën saj të gjumit ku ka marrë një armë zjarri pistoletë, të cilën e ka mbushur, ka qëlluar një herë në drejtim të derës së kuzhinës dhe më pas i është drejtuar të ndjerës Shpresa Angjo, duke e qëlluar vetëm një herë në anën e majtë të gjoksit, moment në të cilin ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në cilësinë e provës kanë shërbyer shufra e hekurit, gëzhojat dhe një plumb.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›