Armë dhe municione, pesë persona vihen në pranga
DURRËS - Katër persona janë vënë në pranga në Durrës pasi u është gjetur një arsenal i vërtetë armësh, ndërkohë që një i pestë është në hetim për moskallëzim krimi. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se operacioni i koduar “Vazhdimësia”, i nisur dy ditë më parë dhe i përfunduar dje, ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve, Besnik Kryemadhi, 23 vjeç, lindur në Gramsh e banues në Lagjen Nr. 14, Enver Voka, 21 vjeç, lindur në Kukës e banues në Sektorin Rinia Durrës, i dënuar më parë për vjedhje. Po ashtu në pranga janë vënë dhe Xhelil Sokoli, 61 vjeç dhe Bajram Sokoli, babë e bir, të dy banues në Lagjen Nr. 13, Durrës, të padënuar më parë. Burimet policore thanë gjatë ditës së djeshme se, katër personat e arrestuar, akuzohen për “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. I arrestuar është dhe Drilon Pjetri, 21 vjeç, lindur në Fushë-Arrëz dhe banues në Sektor Rinia Durrës, i padënuar më parë. Ndaj të riut është ngritur akuza e “moskallëzimit të krimit”. Policia e Durrësit tha se, arrestimi i personave të mësipërm është bërë pasi dy ditë më parë gjatë disa kontrolleve iu gjetën dhe u bllokuan në cilësinë e provës materiale në banesa e automjetet e tyre armë dhe municione. Gjatë aksionit “Vazhdimësia” është sekuestruar, një pistoletë “Zastava” e kalibrit 6,35 milimetër, 5 fishekë të të njëjtit kalibër, 7 armë gjahu të reja të markës Churchill të kalibrit 12 milimetër, 270 fishekë të kalibrit 12 milimetër dhe një qese me 12 kilogramë barut. Burimet policore thanë se, është duke vazhduar puna hetimore për përcaktimin e origjinës e destinacionit të këtyre armëve e municioneve. Dosjet me materiale procedurale për veprat penale të mësipërme i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Arrestohet shqiptari, tentoi të përdhunonte një grua
ATHINË - Ka rënë në pranga ditën e djeshme një shqiptar, i cili akuzohet se ka tentuar të përdhunojë një grua në zonën Dhesfina. Ngjarja ndodhi disa ditë më parë dhe gruaja u përshkroi policëve se personi që tentoi ta përdhunonte ishte i huaj. 19-vjeçari punonte në punë bujqësie dhe jetonte i paligjshëm në Greqi. Gruaja që ai tentoi të përdhunonte reagoi dhe nga përpjekjet për të shpëtuar nga duart e 19-vjeçarit, ra në tokë dhe u plagos lehtë në fytyrë dhe në trup. 19-vjeçari përdhunues, pasi pranoi akuzën, u shoqërua për në Prokurorinë e Amfisës.
Kapet me 2.6 kg heroinë, në pranga i riu
SARANDË - Jo pak, por 2.6 kg heroinë e pastër është bllokuar gjatë një operacioni policor në Sarandë. Burime nga policia thanë se në pranga është vënë një 27-vjeçar si posedues i lëndës narkotike. Policia e Sarandës bëri të ditur se "Saimir Nexhipi, nga Saranda, u ndalua në fshatin Bamatat, 10 km larg kufirit me Greqinë, prej nga po kthehej ilegalisht bashkë me lëndën narkotike". Policia tha se 27-vjeçari nuk ka qenë i skeduar më parë si përdorues droge, ndërsa dyshohet se heroina kishte destinacion kryeqytetin. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti që policia e Sarandës bllokon heroinë të pastër.
1 Korrik 2010