Shtohen aksidentet rrugore, 354 të vdekur në një vit
Pakujdesia e ndihmës së parë, 27% e të plagosurve vdesin pa shkuar në spital. Shkelja e rregullave të qarkullimit, shpejtësia dhe makinat e vjetra renditen si shkaktarët kryesorë të aksidenteve
Vdekshmëria nga aksidentet rrugore në vendin tonë është rritur me 30% krahasuar me vitet e mëparshme. Shifrat flasin për bilanc tragjik aksidentesh, nga të cilat vetëm brenda një viti kanë vdekur 354 persona, ndërkohë që janë plagosur 1540 të tjerë. Shqetësimi për këtë fenomen të vazhdueshëm në rrugët shqiptare ngrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat do të ndërmarrin një nismë të përbashkët për sensibilizimin e qytetarëve për aksidentet, në mënyrë që edhe ndërhyrja e parë të jetë profesionale dhe jo e rastësishme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 27% e viktimave të plagosur gjatë aksidenteve kanë humbur jetën nga pakujdesia në dhënien e ndihmës së parë. Përsa i moshës së drejtuesve të mjeteve që humbin jetën apo plagosen në aksidente, 78% e tyre i përkasin moshës 18-44 vjeç. Ndër shkaqet e aksidenteve, renditen disa, por më të rëndësishmit, që kanë sjellë edhe numrin më të madh të tyre, janë: shkelja e rregullave të qarkullimit në 78,8% të rasteve, shpejtësia tej normës për 29% të vdekjeve dhe 32% të plagosjeve, si dhe përdorimi i alkoolit 6.7%. Por midis shkaktarëve kryesorë në ndodhjen e aksidenteve nuk ngelet pas vjetërsia e automjeteve, ku rreth 72% e tyre janë të amortizuar me vjetërsi mbi 10-vjeçare, duke sjellë për pasojë që mbi 90% e aksidenteve rrugore të shkaktohen nga makina të vjetra. Ndërsa kostoja e aksidenteve rrugore, e llogaritur nga Ministria e Shëndetësisë, është 106 milionë euro humbje në vit. Një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH, në kuadër të dekadës së sigurisë rrugore 2011-2020, ka mbledhur dje për të parën herë në një tryezë të rrumbullakët specialistë të fushës, përfaqësues të qeverisë dhe të Parlamentit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë fjalës përshëndetëse është shprehur se jo rastësisht Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur OBSH si ndjekëse të këtij problem. Ky vendim i referohet lidhjes së drejtpërdrejtë që kanë pasojat e sigurisë rrugore dhe aksidenteve dhe shëndetit. “Së bashku me të gjithë aktorët e faktorët e tjerë, jemi në këtë tavolinë për të diskutuar në 360 gradë në lidhje me këtë problematikë të shëndetësisë. Kjo problematikë na ka sjellë një sërë pasojash, qoftë në pikëpamje shëndetësore, qoftë në atë ekonomike”, - tha ministri Vasili. Sipas tij, një nga elementet e rëndësishme është transporti dhe ndihma e shpejtë që u jepet qytetarëve.
Situata në Shqipëri
Në vitin 2002
308 aksidente
250 të vdekur
228 të plagosur
Në vitin 2010
1630 aksidente
354 të vdekur
1540 të plagosur
Të dhëna për vdekjet
30% është rritur numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore
35% e të vdekurve dhe të plagosurve janë këmbësorë
65% e të vdekurve janë drejtues mjetesh dhe pasagjerë
76% e këmbësorëve që vdesin janë fëmijë dhe të moshuar
78% e shoferëve që vdesin dhe plagosen, të moshës 18-44 vjeç
27% e të plagosurve rëndë humbin jetën gjatë transportit
Shkaqet e aksidenteve
90% e aksidenteve rrugore shkaktohen nga automjete të vjetra
78,8% e tyre janë nga shkelja e rregullave të qarkullimit
29% e vdekjeve dhe 32% e plagosjeve, nga shpejtësia tej normës
19% nga shkelja e rregullave të qarkullimit nga këmbësorët
6.7% të rasteve kanë ndodhur nga përdorimi i alkoolit
2.2% e aksidenteve nga shkaqe natyrore dhe mangësi teknike