Greqia dhe rreziku i rritjes globale
Pasi ka sakrifikuar miqtë e besuar të tij, pasi ka përfshirë kundërshtarët brenda partisë së tij për të bashkuar Pasok-un, dhe pasi ka falimentuar në tentativën e tij për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar Papandreu ka filluar të godasë edhe konservatorët e Demokracisë së Re dhe sidomos liderin Antonis Samaras. Papandreu ka luajtur të gjitha kartat e mundshme për të mbijetuar duke përfshirë edhe rebelët e vetë të majtës greke disa prej tyre tashmë ministra ne tre ministri kyçe. Janë ish - përfaqësues të Pasokut që në të kaluarën kanë dashur të jenë ata liderët dhe që kishin filluar ndërkaq të gërryenin nga brenda vetë partine. Ka emëruar Evangelos Venizelos si ministër te ri të Financave në vend të Papakonstantinou i cili ka kaluar tek ministria e Ambientit ndërsa Venizeloz, ish-ministër i Mbrojtjes, 54 vjeç, i zgjedhur edhe si Zv/kryeministër përkrah Teodoros Pangalos, do të ketë detyrën mjaft e vështirë atë të menaxhimit të krizës. Një detyrë aq të vështirë saqë ai vetë në komentet e para pas zgjedhjes së tij ka deklaruar se “po shkoj në lufte”. Venizelos, i cili ka luftuar aq shumë për postin e sekretarit të Partisë socialiste kundër Papandreut në vitin 2007, tashmë është shndërruar në një pikë referimi për ekonominë e një qeverie në krizë. Gjithsesi është e vërtetë se ka udhëhequr përgatitjet e Olimpiadës së Athinës në vitin 2004, dhe se ka mbaruar studimet në Francë por po t’i referohemi përgatitjeve për Olimpiadën mund të thuhet se nuk ka shumë shpresa se mund të ndihmojë në kalimin e krizës së thellë që ka pllakosur shtetin fqinj. Ndoshta lëvizja e ish- ministrit të Financave Papakonstantinou duhej vetëm për të risjellë një paqe sociale sepse Papakonstantinou ishte shumë i njohur jashtë shtetit helen, ka punuar edhe në Osbe por në të kundërt kritikohej në bazën e partisë së Qeverisë e cila e akuzonte si një teknokrat i cili nuk ishte në gjendje të kujdesej për humorin e opinionit publik. Duket se skuadra e Qeverisë së re është gati për të luajtur një ndeshje akoma dhe më të vështirë. Ndoshta diçka ka filluar të lëvizë me hapa të vegjël por gjithsesi Europa po kërkon të gjejë një kompromis për Greqinë. Dje, Gjermania ka rishikuar pozicionin e saj për një pjesëmarrje të investitorëve privatë. “Ajo që është ë rëndësishme është pjesëmarrja e investitorëve privatë me bazë vullnetare – ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel përgjatë një konference për shtyp me presidentin francez Nicolas Sarkozy ku kanë shtuar se janë në favor të stabilitetit të euros. Gjermania kërkon që të fillohet me nismën e Vienës, një iniciativë e vitit 2009 në një kohë jo fort të mirë financiare e cila parashikonte një rifreskim të huasë në baza vullnetare. Por gjithsesi opinion publik gjerman nuk është dakord që Greqia të marrë përsëri ndihma publike dhe të këtij mendimi janë edhe ato të Finlandës, Holandës dhe Austrisë. Gjermania dhe Franca ose zonja Merkel dhe presidenti Sarkozy duan të luftojnë në një front unik gjithmonë me mendimin për të shpëtuar monedhën unike euro. Edhe Banka qëndrore europiane së bashku me Francën mbështet nismën e Vjenës, por kundërshton çdo operacion që mund të konsiderohet si falimentim. Në këtë këndvështrim, instituti monetar në fillim ka qenë kundërshtues në propozimet e para gjermane ndërsa dje zonja Merkel është shprehur se kërkon një zgjidhje sa më të shpejt. Nga ana tjetër presidenti francez, ka lënë të kuptohet se muaji korrik mund të jetë edhe muaji i skadencës. Ndërkaq kalendari parashikon një mbledhje të Eurogrupit dhe një mbledhje të këshillit europian në ditët në vijim dhe një mbledhje tjetër të Eurogrupit në datën 11 korrik. Nuk ka më kohë: Fondi monetar ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin e tij se nëse nuk ndihmohet Greqia rritja globale mund të jetë në rrezik. Pasi në këto dy javët e fundit, Gjermania kishte ngritur zerin duket se tani ka një pozicion më të butë gjithsesi duket se nga njëra anë ja ka arritur qëllimit që të merrte garanci më të mëdha nga Greqia dhe nga ana tjetër të bindte opinionin publik gjerman se Qeveria mbron interesat e saj. Strategjia synon votimet e shtatorit kur Bundestag-u do të aprovojë të ashtuquajturën parashutë të shpëtimit të shteteve, e cila kundërshtohet nga një pjesë e mazhorancës demokristiane-liberale. Objektivi i zonjës Merkel është që të paraqesë një paketë që të jetë e pranueshme për deputetët. Pra sfida duket se është transformimi i deklaratave në vendime konkrete duke vënë në praktike parimin e Nismës së Vjenës në mënyrë që të binden edhe tregjet. Por ndoshta në kujtesën e kësaj nismë, kujtohej fakti i vitit 2009 kur u aplikua për vendet e Europes Lindore dhe kur flitej për hua që ishin linja krediti, ndërsa sot për Greqinë këto janë detyrime.