E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, dialog me Maqedoninë për çështjen e emrit

Qeveria e re socialiste greke, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 4 tetorit, bëri të ditur ditën e mërkurë se zgjidhja e problemit të emrit të Maqedonisë është një kusht paraprak për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian.
"Greqia kërkon të nxisë në një mënyrë dinamike procesin e bisedimeve të anëtarësimit të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore në BE, me kusht që këto vende të përmbushin kriteret e nevojshme,"- pohoi zëvendësministri i ri i Jashtëm, Dimitris Droutsas.
Në mënyrë më të veçantë, për Maqedoninë, kushti paraprak është zgjidhja e çështjes së emrit, theksoi Droutas për median, në përfundim të një takimi me kryeministrin socialist, Jorgos Papandreu.
Komisioni Evropian rekomandoi ditën e mërkurë hapjen e bisedimeve me Shkupin përsa i përket anëtarësimit në BE. Njoftimi u prit me entuziazëm të madh në Shkup ku mijëra qytetarë dolën me makina duke u rënë borive drejt selisë së qeverisë.
Shkupi mori statusin e vendit kandidat për në BE në dhjetor të vitit 2005, por afrimi i tij me bllokun evropian është bllokuar nga Greqia, që pengon që prej vitit 1991 njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë me këtë emër, pasi ajo shprehet se ai i përket vetëm trashëgimisë së saj historike kombëtare.
Qeveria e mëparshme konservatore greke e bllokoi në prill të vitit 2008 anëtarësimin e Shkupit në NATO.
Që prej fitores së Partisë Socialiste (PASOK) në zgjedhje, Shkupi i ka shtuar thirrjet për rifillimin e bisedimeve lidhur me mosmarrëveshjen që ka me Athinën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›