E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/ Sulmohen tre shqiptarë në veri të Mitrovicës

Tre të rinj shqiptarë ishin objekt i një sulmi fizik nga grupe të serbëve në veri të Mitrovicës, një akt që kreu i komunës i cilësoi si vepër e strukturave paralele. Pas incidentit të ndodhur dje pasdite, policia njoftoi sot se ka arretuar një serb 22-vjeçar i dyshuar për pjesëmarrje në këtë ngjarje, dhe ndërkohë të paktën një person tjetër është shpallur në kërkim. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, në një reagim të tij sot e ka dënuar sulmin si "vepër të grupeve kriminale dhe strukturave paralele serbe, që me çdo mjet dhe formë tentojnë të destabilizojnë gjendjen në Mitrovicë". Ai ka kërkuar që strukturat e sigurisë të bëjnë gjithçka është e mundur për arrestimin e të gjithë personave që kanë marrë pjesë në këtë sulm dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.
Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, tre të rinjë shqiptarë janë sulmuar fizikisht ndërsa ktheheshin nga puna në pjesën jugore të qytetit.
Dy nga të rinjtë shqiptarë të sulmuar në veri të Mitrovicës janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›