Greqia emetoi 1.625 miliardë euro në bono thesari

Greqia emetoi 1.625 miliardë euro në bono thesari me afat gjashtë mujor, me përqindje interesi 4.9 për qind, në rënie të lehtë në krahasim me emetimin e fundit të të njëjtit lloj, njoftoi agjencia greke e administrimit të borxhit publik, PDMA.
Sot Greqia emetoi 1,625 miliardë euro, ose të njëjtën shumë si gjatë emetimit të të njëjtit lloj më 13 dhjetor.
Përqindja e interesit të paguar nga vendi arriti në 4.90 për qind, në rënie fare të lehtë në krahasim me 4.95 për qind të paguar më 13 dhjetor. Oreksi i tregjeve mbeti i lartë, pasi shuma e përgjithshme e emetimt arriti në 3.495 miliardë euro, për një ofertë fillestare prej 1.250 miliardë.
Ky emetim ndodh ndërkohë që vendi po përpiqet të mbyllë bisedimet e gjata me bankierët privatë kreditorë të vendit për të arritur fshirjen vullnetare të rreth 100 miliardë eurove nga borxhi, siç parashikohet në planin e miratuar nga zona euro në fund të tetorit.