E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, ndërpret misionin një vëzhgues i Ligës Arabe

Një vëzhgues arab është larguar nga Siria duke thënë se ai ka përjetuar skena të rënda të dhunës, të cilat misioni i Ligës Arabe nuk ka arritur t`i ndalojë.

Vëzhguesi algjerian, Anvar Malek tha se ai ka kaluar 15 ditë në qytetin e Homsit, ku ka parë skena tmerri dhe trupa të djegur.

Misioni vëzhgues i Ligës Arabe filloi punën më 26 dhjetor të vitit të kaluar.

Detyra e këtij misioni ishte që ta verifikonte nëse Siria po e respektonte marrëveshjen për ta ndalur dhunën, që kishte shpërthyer para 10 muajsh, që nga fillimi i protestave kundër presidentit, Bashar al-Asad.

Por Malek tha se ai ishte larguar sepse e kishte kuptuar se po i shërbente regjimit të Asadit, duke e lejuar këtë regjim që të vazhdonte me vrasjen e protestuesve.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Suzën Rajs tha dje se shifrat zyrtare të organizatës tregonin se të paktën 400 njerëz janë vrarë në Siri që nga arritja e vëzhguesve para dy javësh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›