Cilësia e ushqimeve, bizneset me sistem vetëkontrolli
Të gjitha bizneset e vogla apo të mëdha që prodhojnë produkte ushqimore, do të aplikojnë gjatë këtij viti një mekanizëm të ri për kontrollin e cilësisë. Këtë proces do ta kryejnë vetë kompanitë, ndërsa autoritetet do të verifikojnë dokumentacionin e mbajtur. Drejtori i Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut pranë Autoritetit Kombëtar të Kontrollit të Ushqimeve, Rezart Kthupi shpjegon se sistemi i vetëkontrollit gjatë procesit është më efikas sesa kontrolli i cilësisë së produktit. “Të kalojmë nga kontrolli i të gjitha bizneseve, në kontrollin e procedurave dhe sistemeve vetëkontrolluese që ndjekin bizneset. Sistemi i vetëkontrollit është një sistem i detyrueshëm për çdo operator biznesi në Republikën e Shqipërisë, me anë të të cilit ky subjekt do të kontrollojë vetë veten dhe do të na lejojë që edhe ne të kontrollojmë më imtësisht punën që ai kryen. Të marrim bizneset që janë prodhuese, duke nisur nga prodhuesit e djathit, pijeve joalkoolike, prodhuesit e produkteve të fermentuara, të gjithë këta duhet të kenë një sistem vetëkontrolli, në bazë të të cilit kontrollojnë proceset ose pikat e ndjeshme të procesit ku mund të krijohen probleme për produktet”, - shprehet Kthupi. Ai sqaron se çfarë duhet të bëjnë bizneset për të ngritur sistemin e vetëkontrollit që do të përfshijë që nga baret, restorantet e deri te prodhuesit e thjeshtë. “Biznesi për të ngritur një sistem vetëkontrolli bën një analizë. Fillohet nga analiza e pikave të rrezikshme gjatë procesit. Po të marrim një baxho djathi është momenti kur merren materialet e para, merret qumështi, pastaj procesi i fermentimit të qumështit për krijimin e djathit. Gjithë këto procese kanë pikat ku ka rrezik më të lartë për kontaminimin e produktit final. Nëse këto pika kontrollohen në mënyrë procedurale dhe të herëpashershme, garantohet që nuk krijojnë probleme dhe nuk do të ketë ndikime në produktin final. Është në të mirën e operatorit të biznesit dhe është një mënyrë për të krijuar dhe ai vetë me pak kosto”, - shpjegon Kthupi. Ngritja e sistemit të vetëkontrollit është e parashikuar në ligj, në funksion të cilësisë së produkteve dhe mbrojtjes së konsumatorit. Në rastet e mosrespektimit, gjobat variojnë nga 1 deri në 3 milionë lekë.