Sigurimet shëndetësore, Vasili: Këtë vit mbyllet paketa e re
Paketa e re e sigurimeve shëndetësore, falë së cilës shërbimet shëndetësore do të përfitohen falas ose me tarifa të reduktuara edhe në spitalet private, do të jetë gati brenda këtij viti. Deklarata vjen nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili shprehet se këtë vit do të mbyllet paketa e ligjit të ri të sigurimeve shëndetësore, pas ngritjes së Fondit të Kujdesit dhe Sigurimeve Shëndetësore një vit më parë. Si pjesë e ligjit të ri parashikohet dhe mundësia e blerjes së disa shërbimeve nga spitalet private, të cilat nuk ofrohen nga ato publike. Kështu që personat e siguruar mund të marrin me tarifa të limituara shërbime edhe në spitalet private. “Ky ligj sigurisht do të përpilojë dhe paketat përkatëse, për të cilat do të vendoset për arsye objektive, shkencore, të blihen në shërbimin privat, nëse janë të nevojshme, dhe ky ligj i cili është më fleksibël, sigurisht që do krijojë hapësira të reja. Gjithsesi për të blerë vetëm atë, e cila nuk mund të ofrohet në publik, ndonëse mund të them që sistemi publik me investimin e madh që është bërë është një sistem shumë kompetitiv, më i rëndësishmi në vend. Mendoj se edhe në anën profesionale dhe tekniko- shkencore është më në avangardë se sistemet e tjera”, - ka pohuar ministri Vasili në një intervistë për AS. Kreu i Shëndetësisë ka bërë të ditura disa nga prioritetet e dikasterit që ai drejton për vitin 2012, ku pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për investime në spitalet e vendit. Këtu ai ka përmendur përfundimin e masterplanit të Spitalit të Shkodrës që do të shndërrohet në të njëjtat parametra me atë të Durrësit, që është dhe një nga spitalet model të vendit. Po kështu do të përfundojë projekti i madh i urgjencës së Elbasanit dhe maternitetit të këtij qyteti, ndërkohë që të gjitha spitalet e rretheve do të pajisen me aparatura të fjalës së fundit. Një sërë investimesh do të kryhen dhe në QSUT, siç janë rikonstruksioni i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, përfundimi i projektit shumë të madh të Spitalit të ri të Djegieve dhe Plastikës etj. Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se këtë vit pacientët nuk do të përballen më me mungesën e barnave në spitale.