E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, fondet vënë në pikëpyetje pensionet e dhjetorit

Shteti grek nuk ka para të paguajë pensionet e muajit Dhjetor, nëse lëvrimi i këstit të gjashtë të ndihmës prej 8 miliardë Eurosh, nuk bëhet brenda këtij muaji.
Krerët e Ministrisë së Punës dhe Sigurisë Sociale, janë të alarmuar për faktin se vonesa në disbursimit të dozës gjashtë të huasë, do të shkaktojë probleme të mëdha në pagesat e pensioneve në këtë fundvit.
Sot ka një takim mes krerëve të ministrisë së Punës dhe atyre të ministrisë së Financave, me pjesëmarrjen e administratorëve të fondeve të pensioneve, me qëllim gjetjen e fondeve për të shmangur ndalimin e pagesës së pensioneve.
Një takim i ngjashëm për këtë çështje është mbajtur edhe të hënën, ku u bë e qartë se ka nevojë urgjente për të gjetur 400 milion Euro nga buxheti dhe se cdo zgjidhje tjetër është joadekuate.
“Nëse kësti i gjashtë nuk disbursohet deri në fund të dhjetorit, fondet e pensioneve do të përballen me probleme,” paralajmëroi dje sekretari i përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, Athena Dretta, duke theksuar se edhe nëse gjendet një zgjidhje për nëntorin, pagesat e dhjetorit, varen vetëm nga kësti i gjashtë.
Ndërkohë ministri i Punës, Jorgos Kutrumanis tha sot në Parlament se pagat dhe pensionet do të paguhen normalisht deri në fund të vitit, pasi qeveria do të sigurojë 400 milionë Euro që kërkohen për pagesat.
Z. Kutrumani tha se deri në fund të viti nevojiten 400 milione € për të paguar pagat dhe pensionet për të shmangur problemin, dhe theksoi se këto para do të gjenden.
Lirimi i këstit të gjashtë të huasë për Greqinë, është edhe qëllimi i ardhjes së Trojkës të premten në Athinë, që do të shqyrtojë zbatimin e parakushteve të vendosura, nga të cilat do të varet lëvrimi i këstit të gjashtë dhe koha e disbursimit të tij para Krishtlindjeve.
Ndërkaq sot kreu i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker gjatë fjalës së tij në Parlamentin Evropian siguroi se “vendimi për lirimin e këstit të gjashtë në Greqi, do të merret para fundit të nëntorit 2011”.
Juncker theksoi se në funksion të këtij qëllimi, pritet një letër nga kryeministri i ri i Greqisë për programin që qeveria e tij do të ndjekë në zbatimin e masave dhe rekomandimeve të dhëna nga Trojka.
Në të njëjtën kohë, për lirimin e këstit të gjashtë prej 8 miliardë euro, Komisioni Evropian mbetet i vendosur në kërkesën e tij për një garanci me shkrim nga krerët politikë dhe të qeverisë, për zbatimin e marrëveshjes së 26 tetorit, ndërsa Antonis Samaras vazhdon të refuzojë për të vënë nënshkrimin e tij në këtë dokument.
Në këtë çast të tillë kritik bëhet edhe vizita e Kryeministrit në Bruksel, ku do të diskutojë të gjitha çështjet e hapura me presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso dhe Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›