E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia izolohet nga greva e protesta e sindikatave

Kriza Përleshje edhe mes demonstruesve e policisë

Dje situata ka qenë e vështirë në rrugët e Athinës, pas përleshjeve të protestuesve që kishin dalë në shesh për të kundërshtuar masat e qeverisë me forcat e policisë. Këta të fundit kanë lëshuar gaz lotsjellës ndaj një grupi protestuesish, në një kohë që në shesh ishin grumbulluar rreth 25 mijë persona. Bëhet fjalë për një protestë dhe një grevë që mund të konsiderohet e dyta më e madhe brenda dy javëve të fundit dhe që përkon me shtimin e inatit dhe të zemëratës ndaj shkurtimeve të parashikuara nga qeveria për të ulur shifrat e larta të buxhetit. Në Greqi u mbyllën të gjithë aeroportet, ndërsa trenat dhe tragetet kanë vazhduar të mbesin të palëvizura edhe gatë ditës së djeshme. Vendi aktualisht ka një deficit publik të shkallës 12%, që është 4 herë më i lartë se ai i lejuar nga vendet e Eurozonës. Qeveria është zotuar që do ta reduktojë këtë shifër deri në 8% këtë vit dhe gjithashtu është zotuar që të shlyejë 300 miliardë euro të borxhit kombëtar, duke ngrirë shumë rroga të sektorit publik, duke shtuar moshën mesatare të daljes në pension dhe duke rritur edhe taksat e karburanteve, alkoolit dhe të duhanit. Ndërkohë që ekonomia greke, sipas vlerësimeve, punon në 30 % të saj në të zezë. Greva e djeshme e ka izoluar Greqinë për herë të dytë brenda këtij muaji për 24 orë nga bota, duke qenë se janë anuluar të gjitha fluturimet brenda dhe jashtë vendit. Edhe këmbësorët janë lënë pa mjete të transportit publik, gjë që ka çorientuar edhe funksionimin e zyrave dhe bizneseve private. Përveç Athinës, demonstrata janë organizuar edhe në Selanik. Marshimi ka qenë paqësor fillimisht, por nga fundi kanë nisur disa përleshje mes një pjese të demonstruesve dhe policisë. Si pasojë, filloi edhe hedhja e gazit lotsjellës. Grupe të rinjsh kanë goditur me gurë policinë dhe kanë dëmtuar disa xhama dritaresh të dyqaneve. Njerëzit kërkojnë që të pasurit të paguajnë për krizën dhe jo punëtorët apo shtresa e varfër që nuk kanë mundësi të përballojnë një jetesë dinjitoze me shkurtimet dhe cungimet e parashikuara nga qeveria. Marshimi i fundit ishte tri herë më i madh se ai i mbajtur 2 javë më parë për të njëjtën arsye nga sindikatat. Për sa i takon Kryeministrit grek, ai ka deklaruar se qeveria e tij duhet që të ndërmarrë një sërë masash të përziera edhe me disa politika sociale, për të mos e lënë vendin që të ndodhet në një situatë të rëndë e ndërkohë duhet të krijojë edhe vende të reja pune. Për sa i përket Europës, ajo i ka ofruar Greqisë mbështetje morale, por ka dyshime shumë në lidhje me efektshmërinë e praktikave të saj për qetësimin e situatës. Kjo edhe pas problematikës së të dhënave statistikore jo të rregullta që iu dhanë Brukselit. Por Greqia ka bërë të ditur që edhe Italia ka bërë shkelje flagrante në këtë drejtim dhe për sa u përket kritikave nga Gjermania ndaj Athinës, në këtë rast Gjermania gjatë nazizmit shkatërroi ekonominë e Greqisë dhe vrau mijëra vetë. Për t’iu rikthyer situatës së rëndë ekonomike, ndoshta Greqia do të ketë nevojë për një thellim të masave të rrepta ekonomike, në mënyrë që të mbajë zotimet e bëra para BE-së. Greqia duhet që të raportojë për efektin e parë të masave të qeverisë më 16 mars dhe Kryeministri Papandreu duhet që t’i bindë palët në Europë se politikat e tij janë të drejta dhe të frytshme dhe se premtimet do të mbahen brenda këtij viti. Të paktën, sipas pretendimeve të fundjavës së shkuar, Papandreu ka deklaruar se vendi i tij nuk ka nevojë për një paketë shpëtimtare, por për mbështetje politike nga Europa, në mënyrë që të ishte në gjendje të merrte hua para me përqindje të pranueshme interesi dhe jo më të lartë për shkak të problemeve që po kalon.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›