E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet harta guidë e Antigonesë

Botimi Harta guidë ofron informacion të hollësishëm mbi Parkun Arkeologjik

U promovua dje në Komunën e Antigonesë harta guidë “Antigonea – archaeological park”. Veprimtaria, e cila u organizua nga zyra e administrimit dhe koordinimit të Parkut Arkeologjik Antigone, sjell këtë botim si të parin e serisë “Albanian Mapguides” të realizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me programin e përbashkët të Kombeve të Bashkuara MDG-F “Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin ekonomik e social” dhe zyrën për administrimin e koordinimin e Parkut Arkeologjik Antigone. “Antigonea – archaeological park” pasuron paketën me produkte promocionale të prodhuara deri tani, duke u ardhur në ndihmë vizitorëve vendas dhe të huaj që duan të vizitojnë Antigonenë. Harta guidë ofron për vizitorët një informacion të hollësishëm mbi historinë e Antigonesë, i ndihmon dhe orienton ata drejt monumenteve befasuese të qytetit antik të Pirros, duke u dhënë mundësi për lëvizjen e lirshme në të gjithë hapësirën e parkut për t’u njohur me të paktën 20 monumente të dala në dritë nga ekspeditat arkeologjikë të udhëhequra nga i ndjeri prof. Dhimosten Budina, si dhe nga të tjera ekspedita. Përmes fotografive, vizatimeve dhe skicave, botimi në fjalë i njeh vizitorët edhe me disa nga gjetjet e objektet artistike e arkeologjike të zbuluara në Antigone gjatë ekspeditave arkeologjike, të cilat ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, në Muzeun Arkeologjik Kombëtar dhe në fondet e arkivat e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. “Antigonea – archaeological park” është një nga botimet më të plota, që së bashku me faqen e internetit www.antigonea.com, përbëjnë një pasurim të mëtejshëm të paketës promocionale “Antigonea një destinacion i ri turistik”. Viti 2010 është edhe viti kur pritet të përfundojë infrastruktura rrugore që lidh Parkun e Antigonesë me qytetin e Gjirokastrës dhe rrjetin rrugor nacional. Parashikohet që të jetë viti i rritjes dhe dyfishimit të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj, kjo edhe për shkak të një sërë projektesh e prioritetesh që priten të realizohen brenda këtij viti.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›