Tre vëllezër, peng borxhliun 43-vjeçar
Dy vëllezër janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës për shkak se kishin marrë peng një borxhli të tyre. Bëhet fjalë për Besnik dhe Genc Pulën, që tashmë akuzohen për marrjen peng të Françesk Palit si dhe kërcënimin me armë dhe keqtrajtimin e një tjetër personi. Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës, pasi janë njoftuar nga i keqtrajtuari se çfarë kishte ndodhur, kanë nisur një operacion duke bërë edhe lirimin e pengut.
Sipas të dhënave zyrtare nga policia lokale, pengmarrja ka ndodhur rreth orës 18:30 në fshatin Ishull-Lezhë. 43-vjeçari Françesk Pali, banues në këtë zonë, ka qenë i shoqëruar me Gjonin Tonin, 40 vjeç, banues në të njëjtën zonë. Duke ecur, atyre u ka dalë para një mjet tip “Jepp” me targa të huaja dhe tre persona kanë zbritur, duke u drejtuar armët. Të tmerruar, si Pali, ashtu dhe Gjoni, kanë ngritur duart lart. Në ato momente, tre personat, të cilët i kanë dhënë të njohur Palit, janë afruar dhe kanë goditur me qytën e armëve 40-vjeçarin Toni. Ai është rrëzuar përdhe nga goditjet, ndërkohë që tre personat e armatosur, kanë futur me forcë në makinë 43-vjeçarin, duke bërtitur e duke deklaruar se do e vrisnin.
Sapo makina ka qenë duke u nisur, Toni është përmendur dhe ka mundur të mbajë shënim targën e huaj të mjetit “Jeep”, që sipas tij ishte MS 264410. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ai ka njoftuar policinë, duke u treguar se çfarë kishte ndodhur dhe se ku ishte. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Lezhës, të cilat kanë marrë kontakt me njërin prej të dëmtuarve, ndërkohë që kanë nisur kërkimet për gjetjen e tjetrit. Gjatë punës hetimore, ka rezultuar se Pali, i cili ishte marrë peng, kishte konflikte të mëparshme me tre vëllezër nga fshati Borizanë. Menjëherë, policia ka identifikuar dy nga vëllezërit Genc dhe Besnik Pula, përkatësisht 21 dhe 37 vjeç. Ata janë shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë së Laçit dhe Fushë-Krujës, kanë bërë arrestimin e tij.
Dje, në orët e para të ditës, policia lokale ka mundur të lirojë edhe pengun Pali, i cili është marrë në pyetje për këtë ngjarje të rëndë. Ashtu si edhe dy pengmarrësit, tashmë të arrestuar, ai ka deklaruar se e gjitha kishte ndodhur për shkak të një borxhi, që i dëmtuari u kishte autorëve. Më tej, policia deklaroi se ka bllokuar edhe mjetin, me të cilin është marrë peng 43-vjeçari, ndërkohë që ka mundur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim vëllain e tretë të dy personave të arrestuar. Sipas të dhënave, Dritan Pula është larguar nga vendi i ngjarjes si dhe ka marrë armët e përdorura në pengmarrje për t’i fshehur. Sipas policisë, ai është shpallur në kërkim dhe po punohet edhe për gjetjen e armëve.
#