E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia jashtë eurozonës? Gjermania ende s´ka vendosur

Pas deklaratave të ministrit gjerman të Ekonomisë dhe zëvendëskancelarit, Philip Rösler (FDP) në fundjavë për një falimentim të kontrolluar të Greqisë si shansin e fundit me qëllim stabilizimin e eurozonës nga borxhet, nuk ka reagim të drejtpërdrejtë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Por përmes zëdhënësit të qeverisë, Steffen Seibert, në Berlin të hënën mësohet se qeveria gjermane, sipas të dhënave të veta, nuk llogarit me daljen e Greqisë nga eurozona. "Ne duam të stabilizojmë eurozonën me të gjithë shtetet anëtare" tha Seibert.

Përjashtimi i Greqisë nga eurozona edhe sikur të dëshirohet nga qeveria gjermane nuk bëhet aq kollaj.

Marrëveshjet evropiane nuk e parashohin një dalje vullnetare nga eurozona dhe as përjashtimin e një vendi nga unioni. "Madje edhe vetë kuadri ligjor e pengon këtë hap", tha Seibert në Berlin.

Për kancelaren gjermane Merkel, rezultatet e trojkës evropiane për Greqinë kanë një rëndësi vendimtare. Kjo vlen për të gjithë koalicionin qeveritar, tha zëdhënësi i qeverisë.

Vendimet e trojkës janë fjala e fundit

Trojka e ekspertëve të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evopiane udhëton këtë të mërkurë në Athinë për të kontrolluar sukseset e Greqisë në drejtim të programit të kursimeve. Deri më tani Greqia nuk ia ka dalë të ristrukturojë shtetin dhe të luftojë evazionin fiskal në ato përmasa që pret BE.

Trysni po i vjen qeverisë gjermane në çështjen greke edhe nga radhët e saj. Kryetari i partisë kristiansociale CSU që qeveris bashkë me CDU-, Horst Seehofer u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet të kthehet në një union huash. Prandaj përjashtimi nga eurozona duhet parë "si zgjidhja e fundit po qe se se grekët nuk ia dalin të ulin borxhet."/DW-Start/

                                                                                             2011-09-12 15:19
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›