E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia kërcënon Shqipërinë pas raportit për vdekjen e Aristotel Gumës

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Grigoris Delavekouras, tha të mërkurën se Athina është thellësisht e shqetësuar dhe skeptike për faktin se nëntë muaj hetime për vrasjen e një greku etnik në Himarë, ajo thjesht riemërohet një aksident. Reagimi i tij vjen pas raportimeve në media se Aristotel Guma u vra aksidentalisht. Ne presim nga Shqipëria, si një anëtare e Këshillit të Europës dhe si një vend kandidat për në BE që të garantojë drejtësinë e duhur, tha ai, duke theksuar se të gjitha opsionet janë duke u marrë në konsideratë për lëvizjet tona të ardhshme. Zëdhënësi tha se raporti është i papranueshëm dhe shtoi se Guma u ndoq dhe u vra nga një grup nacionalistësh shqiptarë, pasi foli greqisht. Zëdhënësi ka kërkuar nga kryeministri Sali Berisha të flasë hapur për këtë çështje.

Sipas një raporti të publikuar nga disa media, ekspertët e pavarur thonë se 35 vjeçari Aristotel Guma apo Aristidh Guma ka vdekur nga aksidenti automobilistik.

Mekanizmi se si ka ndodhur aksidenti automobilistik i gushtit 2010 është depozituar në Prokurorinë e Vlorës për llogari të proçesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tetë të rinjve vlonjatë.

Sipas ekspertimeve të kryera në vendngjarje, por edhe verifikimeve të makinës së autorëve dhe motoçikletës së viktimës, specialistët e qarkullimit rrugor shprehen në këtë material se Audi A3 që drejtohej nga i akuzuari Ilir Muka po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në drejtimin Himarë-Himarë fshat.

Autovetura dhe motoçikleta kanë ecur pothuajse paralel për disa metra përpara se të përplaseshin. Të dy mjetet kanë vijuar të ecin paralel edhe në kthesë. Më pas për shkaqe të panjohura motorçiklisti, pra Aristotel Guma bën një manovër kthimi në drejtim të rrugës duke hyrë në hapësirën ku udhëtonte Audi përreth 60 centimetra.

Pas ndërprerjes së menjëhershme të rrugës nga ana e motorçikletës goditet fillimisht parafango e djathtë e Audit e më pas pjesa e djathtë e mjetit godet parakolpin e motoçikletës.

Motorçikleta bie në anën e djathtë sipas ekspertëve për shkak të energjisë që zotëronte dhe energjisë së fituar nga përplasja me autoveturën, ndërsa drejtimi i rrëzimit të motorçikletës ndryshohet për shkak të forcave shtytëse dhe forcave të fërkimit në karrexhatë

Sipas ekspertëve drejtuesi i mjetit Ilir Muka nuk ka patur mundësi reale në këto sekonda që të përshquajë lëvizjen e motorçiklistit e aq më tepër të kishte mundësi reale të reagonte duke frenuar për të evituar aksidentin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›