E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia kërkon 110 mld për të shmangur falimentimin

BRUKSEL- Greqia dha sot shifrën e përafërt prej 110 miliardë eurosh të planit të dytë të shpëtimit për të cilin ajo ka nevojë në mënyrë që të mos falimentojë, përpara një jave që duket themelore për garën kundër kohës me objektiv shmangien e efektit domino në zonën euro dhe përtej saj.

Në përfundim të një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel, kryeministri grek, Jorgo Papandreu njoftoi se bisedimet u zhvilluan rreth "një shume të ngjashme me programin e parë të ndihmës së vitit të kaluar, që parashikonte 110 miliardë euro për tre vjet. Gjatë samitit, ai mori premtimin për vënien në jetë, kundrejt kushteve, deri në korrik të këtij plani të dytë. Kancelarja Angela Merkel përshëndeti një marrëveshje të "rëndësishme për stabilitetin e euros".

"Deri tani i kemi kaluar të gjitha provat dhe çdo herë katastrofa është shmangur", shprehu kënaqësinë presidenti francez, Nicolas Sarkozy, duke përmendur "një vullnet për shpëtimin e euros", përfshirë edhe nga bankat dhe kreditorët e tjerë privatë të Greqisë që mendohet të marrin pjesë në planin e ri të ndihmës.

Ministrat e Financave të zonës euro, të cilët do të takohen përsëri më 3 korrik në Bruksel, pritet ende të japin siguri për kapërcimin e krizës. Pritet veçanërisht që ata përcaktojnë modalitetet e planit të dytë të shpëtimit dhe sigurisht më të polemizuarën e çështjeve, atë lidhur me pjesëmarrjen vullnetare të kreditorëve privatë, për të cilën kanë filluar këtë javë bisedimet në disa kreyqytete. Ata pritet gjithashtu të zhbllokojnë këstin e ardhshëm të huasë të premtuar në planin e parë grek, të cilën Athina po e pret me ankth.
Por, kushti i padiskutueshëm mbetet miratimi deri në fund të muajit nga parlamenti grek i një plani të finalizuar dje me kreditorët ndërkombëtarë, ku bashkohen masat shtrënguese dhe privatizimet që do të arrijnë shumën 28,4 miliardë euro. Shkurtimet e mëdha shkaktojnë tensione të forta sociale.

Duke parë kuadrin social të acaruar, pasi një grevë tjetër e përgjithshme është njoftuar për më 28 dhe 29 qershor, liderët evropianë bëjnë thirrje për një "unitet kombëtar" në Greqi, që përfshin opozitën e djathtë.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›