E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, skandali i ndeshjeve, “luan” dhe Alket Rizai

ATHINE- Shtohet numri i personave të përfshirë në skandalin e trukimit të ndeshjeve në Greqi. Burimet e policisë thonë se organizata në fjalë kishte plan të trukonte ndeshje edhe në Shqipëri.

Mediat greke shkruajnë sot se në skandalin e trukimit të ndeshjeve, mund të jetë përfshirë edhe Alket Rizai, i cili vuan dënimin në burgun e Grevenasë.
Sot publikohet skripti i një bisede telefonike që Alket Rizai ka zhvilluar me presidentin e Heliopolis, Jorgos Xhakojanis, i cili u arrestua të mërkurën pasdite në Selanik. Në bisedë përmendet një ndeshje që ishte zhvilluar në Shqipëri dhe shifra prej 20 000 eurosh, që Alketi ia sugjeronte bashkëbiseduesit ta kishte luajtur për këtë ndeshje.
Prokurorja e cështjes, Popi Papandreu ka pohuar se disponon informacion qe Rizai e Xhakojanis kanë miqësi të ngushtë. Hetimi vazhdon për të zbuluar të gjitha lidhjet e mundshme.

Pas arrestimeve të së mërkurës, policia greke ka nxjerrë të tjera urdhërarreste. Një i tille qarkullon edhe për ishpresidentin e sport-klub Aek, Makis Psomiadhis, një emër shumë i njohur për sportin grek.
Gjithashtu në listën e personave të përfshirë në këtë skandal është edhe emri i presidentit të Olimpiakosit, Vangjelis Marinaqis.

Personat e mësipërm, ashtu si edhe ata të arrestuar para disa ditësh, u zbuluan pas përgjimit të bisedave telefonike. Akuzat për ta janë shumë të ashpra; për trukim ndeshjesh dhe pastrim parash.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›