Greqia, kontribut të rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë
Ministri i Jashtëm, Panariti takon ambasadorin grek në Tiranë, Pazios
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim kortezie me ambasadorin e Republikës Greke në Tiranë, Nicolas Pazios, ku e vlerësoi Greqinë si një vend fqinj dhe partner të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Kryediplomati shqiptar shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat tashmë bazohen në lidhje të forta dhe të qëndrueshme.
Ambasadori Pazios u shpreh se Greqia i konsideron marrëdhëniet me Shqipërinë shumë të rëndësishme, dhe me një dimension reciprok të konsiderueshëm. Ai theksoi se Greqia është një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ministri Panariti uroi që Qeveria e re Greke të kapërcejë situatën aktuale ekonomike, si një objektiv madhor për Greqinë, por me interes të drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë. Bashkëbiseduesit u angazhuan për thellimin e dialogut politik mes dy vendeve, në të ardhmen.