“Çdo gur që do të hiqet nga rrethimi i Pallatit të Brigadave do të rikthehet sërish në vend”

Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, kryeministri garanton shoqërinë civile
Kreu i qeverisë, Berisha komentoi edhe debatin për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, duke theksuar se hapja e këtij segmenti është jetike, sepse Unaza e Madhe nuk e zgjidh problemin e trafikut. Kryeministri garantoi shoqërinë civile se çdo gur që do të hiqet nga rrethimi i Pallatit të Brigadave do të rikthehet sërish në vend. “Dua të sjell në vëmendjen tuaj edhe një problem të fundit që ka ngjallur debate, problem i zgjerimit të rrugës së Elbasanit. Rruga do të zgjerohet, sepse qytetarët e Elbasanit e kanë jetike për të hyrë në Tiranë, nëpërmjet zgjerimit të kësaj rruge. Nuk është unaza ajo që ua zgjidh problemin. Unaza që ndërtojmë ne, bashkon Shkodrën me Elbasanin e anasjelltas, Korçën me Shkodrën, bashkon dy pjesë të vendit, por është fluks tjetër ai i unazës dhe fluks tjetër ai që vjen drejt e në kryeqytet. Por dua të theksoj se rruga prek një monument kulture, i cili është rrethimi i Pallatit të Brigadave. Ai rrethim, me ato harqe, është një stil i kohës, i veçantë. Ndaj dhe ministria përkatëse, Sokol Olldashi ose Drejtoria e Rrugëve, do të mund të bëjnë rrugën, pasi të garantojnë se çdo gur i atij muri do të kthehet po në atë mur, pasi të garantojë që harqet do të kthehen identik siç janë, pasi të garantojnë rikthimin në origjinal, një për një, të kësaj infrastrukture”, u shpreh Berisha.
Kryeministri shtoi se shoqëria civile mund të krijojë një komision për të monitoruar punën për kthimin e murit të Pallatit të Brigadave në identitet. “Unë i bëj thirrje shoqërisë civile që të ngrejë një komision, krahas Institutit të Monumenteve të Kulturës, për ta monitoruar gurë për gurë këtë proces. E vërteta është se ajo arkitekturë që, në pamje të parë mund të mendohet se ribëhet me lehtësi, nuk ndodh kështu, pasi ajo është një vepër e një stili arkitekturor të asaj kohe, shumë të respektuar kudo. Ndaj dhe për t’i dhënë fund debatit me Shoqërinë Civile, ministria e Punëve Publike duhet të vendosë kontakte me të, të kërkojë që bashkë me Institutin, ose nëse dëshirojnë edhe veçmas , të krijojnë ekipin e tyre dhe të monitorojnë çdo lëvizje guri. Rruga do të bëhet. Ajo është studiuar shumë herë dhe është rrugë jetike. Nuk është problem vetëm për banorët, por është problemi i hyrjes në kushte normale të qytetarëve të Elbasanit në Kryeqytetin e tyre. Unaza, fluksin e çon drejt veriut, apo nga veriu drejt juglindjes. Ky është funksioni i unazës. Ndërsa trafiku i kryeqytetit e ka jetike këtë rrugë. Doja të bëja këtë sqarim dhe të garantoj Shoqërinë Civile se ka gjithë vlerësimin tim, pavarësisht se kur shoh se me të bashkohen ca antiglobalistë, nuk më vjen mirë. Del aty Sajmir Tahiri dhe bën luftën kundër fadromave. Këto janë rivalitete të brendshme, ata bëjnë luftë me njëri-tjetrin. Se çfarë pune kishte ai me fadromat, kjo nuk kuptohet. Po ta kishte me qeverinë, duhej të shkonte te ministria apo te bashkia dhe të bënte protestën. Ai viktimizonte dhe shoqërinë civile me atë rast”, tha ai.