E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia “kursen” Poloninë, Rusia shpartallon Çekinë

Evropa mban frymën. Pas një ceremonie hapëse emocionuese, ka ngritur siparin e vet edhe Kampionati i 12-të Europian i Futbollit, me ndeshjen hapëse mes Polonisë, njërit nga vendet mikpritëse të këtij turneu të rëndësishëm kontinental, dhe Greqisë, skuadrës fituese të “Euro 2004, në Portugali. Dita e parë e këtyre finaleve do të vijojë me sfidën e mbrëmjes, mes Çekisë dhe Rusisë, për t’ia lënë vendin të shtunës, ku “temperature” e këtij kompeticioni do të rritet ndjeshëm, sepse do të ftojë në “arenë” emra të tillë si Gjermani e Portugalia, përballë njëra-tjetrës, apo Holanda dhe Danimarka. Të gjithë, kësisoji, ngërthehen nga emocionet e një kompeticioni futbolli, më i rëndësishmi i kontinentit, i cili do zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë dhe kurorëzon më 1 korrik “mbretin” e ri. Edicioni i 14-të i tij ka grumbulluar 16 ekipe kombëtare, të cilat do kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre, nga kalimi i fazës në grupe dhe deri te triumfi. Drithërimat e turneut kanë përfshirë të gjithë finalistët, kombet e tyre, por edhe mbarë globin, që sytë dhe veshët do t’i ketë deri më 1 korrik në “Euro 2012″, ku nuk mungon thuajse asnjë prej “gjigantëve” të futbollit e ku të gjithë pretendentët janë pompuar me idenë se do zënë “fronin” e Evropës dhe të nënvlerësuarit zotohen për të surprizuar. Një kompeticion ku emocionet janë të garantuara…
Ceremonia hapëse Rreth 20 minuta para ndeshjes hapëse të kampionatit evropian, mes Polonisë dhe Greqisë, e cila startoi në orën 18:00, u zhvillua edhe spektakli që simbolizon “çeljen” e kompeticionit. Ishte programuar një koreografi festive, e cila zgjati disa minuta dhe në të morën pjesë plot 800 vullnetarë, në statusin e valltarit, apo me kontribut të përafërt me të. Ideatori i të gjithë koreografisë ishte Marko Balish, i cili ka organizuar edhe ceremoninë hapëse në Lojërat Olimpike 2002 dhe 2006 dhe për hapjen e stadiumit të Juventusit. Ndërkohë, në piano luajti hungarezi Adam Giorgi, i cili është një i pasionuar i futbollit, madje ka qenë edhe pjesë e kombëtares së minifutbollit të vendit të tij.
NDESHJET E DITES SE PARE
Polonia, njëri nga vendet mikpritëse të këtij Europiani, ka regjistruar barazimin e parë të këtij turneu vere. Po ashtu, në ndeshjen e parë të finaleve të “Euro 2012” janë konsumuar edhe të gjitha “aktet” e tjera të një ndeshjeje futbolli, sikurse janë penalltia, kartonët e verdhë dhe të kuq. Ky i fundit, i pari në këtë kompeticion, mban emrin e grekut Papastathopulos, që është ndëshkuar afër fundit të pjesës së parë, duke i lënë grekët me një forcë më pak në fushën e lojës, përballë vendësve, që kishin kaluar në epërsi më herët, qysh në minutën e 17-të, ndërsa i dyti u akordua për portierin Shezni të vendësve, në minutën e 68-të. Goli i parë i këtij Europiani mban autorësinë e Levandovskit, që ka ndëshkuar helenët, duke shtruar rrugën e fitores së të tijve.
Pjesa e parë Polakët e kanë nisur në ofensivë këtë sfidë, duke qenë tepër të karikuar, edhe për faktin se luanin para tifozëve të vet, pasi ndeshja luhej në Varshavë, në prani të mbi 50 mijë spektatorëve. Presingu që ushtrohet në gjysmëfuahën e grekëve i detyron këta të fundit të bëjnë edhe gabime në prapavijë, sidomos në krahun e majtë, prej nga vijnë edhe shqetësimet e para. Vlen të theksohet fakti se vendësit duken se e përmbledhin tërë manovrën e tyre ofensive te Levandovski, drejt së cilit adreson të gjithë topat për finalizim. Kështu do të ndodhte edhe në minutën e 17-të, teksa gabimi i mbrojtësit të ktrahut të djathtë të Greqisë i jep mundësinë kundërshtarit të fusë një krosim të përpiktë në qendër të mbrojtjes helene, aty ku Levandovski gjendet i zbuluar. Lojtari i Dortmundit, kampion i Bundesligës, godet fort me kokë dhe e kalon Poloninë në epërsi. Duket se goli i vendësve i ka zgjuar disi grekët, që nisin pak e nga pak të dalin nga një mbrojtje e thellë dhe përmes Karagunis, që është strumbullari i të gjitha aksioneve të fqinjëve tanë jugor, nis e krijon rastet e para. Sotiris Ninis, i vendosur në të djathtë të sulmit grek, mundohet të rrezikojë përmes krosimeve të Samaras, i vetëm në sulmin e tij, por në luftën në ajër janë polakët që dominojnë. Portieri i tyre mbetet në shumicën e pjesës së parë spektator, sepse Greqia nuk e vuri thuajse asnjëherë në vështirësi serioze. Pjesa e parë, sikurse thamë më lart, do të prodhonte edhe dy kartonë të verdhë për lojtarin e Bremenit, Papastothopulos, rrjedhimisht edhe të kuqin, duke e bërë edhe më të vështirë misionin e helenëve për të marrë një barazim në këtë ndeshjes hapëse të “Euro 2012”.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i lojës nis me zëvendësim për Greqinë, që ul në stol himariotin Sotiris Ninis, që gaboi në mjat pasime në pjesën e parë, duke futur Salpingidhis. Ishte normale që të sakrifikohej një forcë ofensive për një lojtar më mbrojtës, duke ditur se një nga shtyllat e prapavijës helene, Papastothopulos doli me të kuqe, por trajneri portugez i grekëve ka guxuar. Dhe i futur në pjesën e dytë e shprëblen atë, sepse Salpingidhis, duke shfrytëzuar një gabim të portierit vendës, në minutën e 51-të barazon shifrat. Ndeshja ka sërish ekuilibër të plotë rezultativ, duke i vënë skuadrat në një betejë të hapur, për t’i rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës. Kuptohet, Polonia reagon, sepse nuk pajtohet me këtë rezultat, ndërsa helenët janë pragmatistë e të kujdesshëm, duke ditur se janë në disavantazh numerik në fushë, përballë kundërshtarit, që ka mbështetje të madhe edhe nga tifozëria vendëse. Duhej të vinte minuta e 68-të, që dy skuadrat ta shihin veten edhe në barazpeshë numerikë të lojtarëve në fushë, sepse portiere Shezni i vendësve del me të kuqe, pasi i ndërhyn në mënyrë të gabuar Salpingidhis. Duke qenë lojtar i fundit, gjyqtari spanjoll Karbajo nuk fal, akordon penallti për Greqinë dhe nxjerr me të kuqe “gardianin” polak. Helenët kanë shansin e artë për të përmbysur gjithcka, por Karagunis nga pika e bardhë nuk e superon dot portierin e ri të Polonisë, Tyton, që futet mes shtyllave pa u nxehur fare dhe pret topin, pasi i ka kuptuar krahun kapitenit kundërshtar. Polonia mbetet në lojë, ndërsa grekët nuk u besojnë syve, sepse kanë humbur mundësinë më të mirë të ndeshjes. Loja më tej luhet me sulme e kundërsulme të në dyja portat respektive. Greqia është më kërkuese, ka më shumë grintë dhe është më e qartë taktikisht, ndërsa polakët ndeshin vështirësi për të dalë në fazën ofensive. Repartet e vendësve janë të shkëputura nga njëri-tjetri, mesfusha nuk i jep “oksigjen” manovrës sulmuese të të besuarve të Smudës, ndërsa grekët e trajnerit Santos bëjnë cmos për të kaluar në epërsi, pa u dekurajuar aspak nga humbja e penalltisë. Natyrisht, pak nga pak ndihet edhe lodhja fizike, temperaturat disi të larta bëjnë që lojtarët të shpenzojnë shumë energji, duke i limituar mundësitë e konkuldimit pas kalimit të minutës së 75-të. Atëherë kur palët mendojnë më mirë të mos pësojnë, duke u pajtuar me këtë barazim, se sa të dalin duarbosh nga sfida hapëse e këtij Europiani.
Ndeshja e dytë e ditës së parë të finaleve të “Euro 2012” ka dhuruar një fitore të pritshme deri diku të Rusisë. Edhe pse është gjendur në pozita inferiore në fillim të lojës, skuadra e Dik Advokatit ka dëshmuar qetësi e siguri tekniko-taktike, duke administruar fillimisht presingun e cekëve, duke i studiuar ata dhe më pas kundërpërgjigjur bindshëm.
Pjesa e parë 10-13 minutat e fillimit të ndeshjes kanë krijuar përshtypjen se Cekia do të bënte ndonjë surprizë, teksa e ka zhvendosur lojën në gjysmëfushën ruse. Kapiteni Rizicki është “dirigjenti” i gjithckaje për cekët, lëviz shumë, patrullon territor të madh të fushës, tërhiqet deri në zonën e vet të 16-metrave, prej nga merr topin, përparon dhe ndërton aksione për të tijtë, duke shpërndarë pasime të bukura sa në njërin krah në tjetrin. Mirëpo, sulmuesi kryesor i Cekisë, Barosh, mbetet i izoluar në mbrojtjen shtatlartë ruse, e cila, e vendosur me katër lojtarë në vijë të drejtë, zhvendoset e koordinohet për bukuri, qoftë në aplikimin e pozicionit jashtë loje, qoftë në dublimin e njëri-tjetrit, kur zona e tyre përjeton ndonjë rrezik. Vetëm kaq ka zgjatur udhëheqja e lojës nga Cekia, 15 minuta, sepse më pas Rusia evidenton vetveten, me qarkullim të dendur e të saktë të topit, me pasime të shkurtëra e të shumta, duke ia dyfishuar punën kundërshtarit. Alternimi i dy krahëve të mesfushës, që kulmojnë me krosimet e tyre drejt majës së sulmit, një Arshavin në një mbrëmje të shkëqlqyer, që merr përsipër thuajse gjithcka për të tijtë, janë “menyja” e formacionit të Dik Advokatit. Si me “magji”, ata kanë lënë tashmë gjysmëfushën e tyre, shikojnë dendur drejt portës së Peter Ceh, e vënë në shënjestër atë, derisa gjejnë edhe golin e parë, pas disa rastesh të volitshme më herët. Eshtë Dzagoev, që në minutën e 15-të arrin ta mposhtë gjigandin e portës ceke, që i “tradhëtuar” nga mbrojtja e vet, e vendosur gabim dhe e zënë në befasi, nuk ka cfarë të bëjë përballë “predhës” që lëshon rusi, që topin e kthyer nga kundërshtari në formë asisti, e godet tokazi me forcë nga rreth dhjetë metra largësi dhe e dërgon në rrjetën e Ceh. Ky është momenti kur Rusia “përmbys” jo vetëm lojën e rrjedhën e ndeshjes, por merr edhe frenat e sfidës në dorë. Cekët shkërmoqen nga pësimi i golit, nuk gjejnë forca për të reaguar, janë të paqartë në planin organizativ të lojës, ndërsa vetëm Rozicki mundohet të vërë sadopak rregull në stonaturën totale të të tijve. Megjithatë, i vetëm nuk ka cfarë të bëjë përballë furisë ruse, që është rritur edhe moralisht tashmë, pas golit të parë, ndërsa nuk e ndal ofensivën drejt portës së Peter Ceh. Shqetësim permanent bëhet për cekët kapiteni rus, Arshavin, që merr pjesë aktive edhe në detyrat mbrojtëse, ato ndërtuese dhe madje konkluduese të të tijve. Nga këmbët e tij dalin njëri pas tjetrit asiste, qoftë me pasime pas mbrojtjes kundërshtare, qoftë me krosime në qendër të repartit të përparmë rus. Mbrojtja ceke është e shpërqendruar, rreshtohet gabim kur kundërshtari sulmon nga dy krahët drejt qendrës, duke i dhënë mundësinë kësisoji Shirokovit, në minutën e 24-t, të dyfishojë shifrat. Avantazhi është i konsiderueshëm, thuajse e vë në shina të sigurta suksesin e rusëve, që nga ana e vet nuk lëshojnë aspak terren, por mbeten në kërkim të thellimit të rezultatit. Duke iu afruar edhe golit të tretë, sepse prapavija ceke është në alarm të përhershëm, nuk ka koordinimin e nevojshëm.
Pjesa e dytë Pjesa e parë, sidoqoftë, mbyllet me fitoren 2-0 të Rusisë, duke ia lënë vendin fraksionit të dytë, që normalisht do të kishte formacionit të Advokatit më të kujdesshëm e më të orientuar në mbrojtje të avantazhit, ndërsa cekët në mënyrë të dëshpëruar mundohen të rikuperojnë dicka. Minuta e 52-të do të flaës për ta, sepse arrijnë të shënojnë golin e parë në këtë ndeshje, me anë të Pilar. Praktikisht, sfida hapet, rezultati ngushtohet, kështu që Cekia ka pse të besojë dhe shpresojë, cka vihet re edhe në lojën e saj. Përpjekjet e cekëve tashmë shtohen në kërkim të barazimit, loja e tyre është më energjike dhe ka më shumë fantazi, Rozicki vijon të jetë “truri” i gjithckaje, duke u bërë frymëzim për të tijtë. Por mbetet sërish i vetëm në këtë mission, pasi pjesa tjetër e skuadrës nuk i përgjigjet. Rusia reagon fuqishëm, duke dashur të mos rrezikojë barazimin, teksa Kerzhakov humb dy-tri raste ideale për të gjetur golin e tretë. Trajneri Advokat nuk u beson syve se si shpërdoron sulmuesi i vet kryesor, ndaj vendos ta zëvendësojë atë me Pavlicenkon. Lëvizje që jep efeket të menjëhershëm, sepse lojtari në fjalë asiston Dzagoev në shënimin e golit të dytë personal në këtë ndeshje dhe të tretin për Rusinë, në minutën e 79-të. Më tej, Pavlicenko kryen një aksion të mrekullueshëm individual, hipnotizon mbrojtjen e trullosur ceke, duke gjuajtur në një pozicion thuajse “të vdekur”, por duke befasuar Peter Ceh, që detyrohet ta nxjerrë për herë të katërt topin nga rrjeta e tij në minutën e 82-të. Nuk ka më histori sfida, Rusia është në “qiellin e shtatë”, ndërsa Cekia përjeton “ferrin”.
Grupi A, pas ndeshjeve të para ka për kryesuese Rusinë, me 3 pikë dhe një golaverazh mjaft pozitiv, e cila ndiqet nga Greqia dhe Polonia, me nga një pikë. Rusët kanë tashmë 15 sfida që nuk humbin dhe e kanë ruajtur këtë ritëm. Përballja e fundit në një turne evropian midis Republikës Çeke dhe Rusisë ka qenë në vitin 1996. Atëherë ishin çekët që me një gol në minutat e fundit barazuan 3-3 dhe arritën të kualifikoheshin. Atëherë ata e përfunduan të tretët kampionatin.
(ge.pro/panoramasport/balkanweb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›