E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Presidenti', Rama mbledh kryesinë e PS

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mblodhi sot, në orën 08:30, kryesinë e partisë, ku po diskutohet qëndrimi që forca me e madhe në opozitë do të mbajë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Nuk përjashtohet edhe diskutimi i emrave konkretë që mund të propozohen nga Partia Socialiste në përpjekje të arritjes së konsensusit me mazhorancën.

Parlamenti ezauroi dje edhe raundin e tretë të votimit për President për shkak se nuk kishte një kandidat zyrtar, pasi edhe emri i mazhorancës, Xhezair Zaganjori nuk kishte mbledhur 20 firmat për të hyrë në garë. Nisur nga kjo, konferenca e kryetarëve vendosi që raundi i katër të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00. Ky është raundi i parafundit dhe në bazë të Kushtetutës zgjedh Presidentin me 71 vota ndryshe nga tre të mëparshmet që kërkonte edhe konsensusin e opozitës, pra 84 vota. Por gjithçka ka nisur nga e para për shkak të tërheqjes së kandidatit të mazhorancës z.Zaganjori, pasi mazhoranca duhet të miratojë një emër tjetër brenda radhës së saj.

PD-LSI takime per presidentin
Mazhoranca është në kërkim të një kandidature të re për postin e kreut të ri të shtetit pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit nga gara presidenciale. PD-ja bashkë me aleatët e saj, LSI-në, PDIU-në dhe PR-së do të rimblidhen sërish për të gjetur një emër të ri për raundin e katër të votimit. 

Njëri nga aleatët e PD-së, z.Ilir Meta, paralajmëroi pasditen e djeshme se sot dhe nesër do të ketë takime të partive të koalicionit me qëllim që Presidenti të zgjidhet në raundin e katërt në Parlament. Por përpos deklaratës së kreut të PS-së Edi Rama fill pas deklaratës së Metës, i cili kërkoi bisedime dhe konsensus me mazhorancën pas tërheqjes së Zaganjorit, do të jetë tryeza e sotme ajo që do të vendosë nëse do të ketë sërish negociata apo jo me opozitën. Gjithsesi këto dy ditë të fundjavës mësohet se do të jenë intensive përsa u përket takimeve të koalicionit qeveritar dhe dilemës nëse do të shkohet drejt një figure politike dhe brenda radhëve të PD-së, apo një kandidati të nivelit “Zaganjori” që të ketë dhe miratimin e opozitës së majtë.

Propozimet nga aleanca qeverisese
Gjithsesi gjatë negociatave të aleancës qeverisëse u propozuan disa emra si kandidatë për President, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të qarkullojnë brenda së djathtës. Bëhet fjalë për tre figura politike të PD-së, emri i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ai i ministrit të Financave Ridvan Bode dhe deputetit dhe anëtarit të kryesisë Fatos Beja. Nga ana tjetër në tryezën e negociatave brenda koalicionit qeverisës u publikua dhe një listë PD-LSI me emra kandidatësh për president nga e cila u vendos me miratim të plotë emri i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese z.Xhezair Zaganjori. Në listë figuronin emrat e Mimoza Halimit, ambasadore në Bruksel, në misionin e Shqipërisë pranë BE-së, Xhezair Zaganjori, pedagog i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe shkollën e magjistraturës, Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në OKB, Dashnor Dervishi, ambasador i Shqipërisë në Greqi, Ledi Bianku, anëtar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Kristaq Traja, jurist, ish-anëtar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Tërhiqet Zaganjori, Rama: Hapet konsensusi, PD: Presidentin me aleatët

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›