Greqia me qeveri, Samaras betohet: Do kthehet stabiliteti

Samaras dje gjatë betimit si kryeministër
Koalicioni DR, PASOK, DIMAR merr bekimin e Presidentit Papulias.
Guvernatori i Bankës, ministri i ardhshëm i Financave.
Lideri i partisë konservatore greke Demokracia e re, Antonis Samaras, u betua dje si Kryeministri i ri i vendit, duke drejtuar një qeveri që pritet të hasë shumë pengesa.
Brenda javëve të ardhshme Greqisë i mbarojnë të ardhurat, nëse kreditorët ndërkombëtarë vendosin ende të mbajnë pezull dhënien e kësteve të kredisë, ekonomia e vendit është në rënie të vazhdueshme dhe populli është i zemëruar me masat e ashpra të kursimit të miratuara gjatë dy viteve të fundit. Qeveria e re u arrit pas informimit të Presidentit Karolos Papulias, se tri forcat politike, Demokracia e re, PASOK dhe DIMAR e kishin arritur marrëveshjen. Kreu i DIMAR, Fotis Kuvelis, ka deklaruar mbështetje për qeverinë e re të Samaras, por nuk ka dashur të marrë pjesë as vetë dhe as me kuadrot e partisë së tij në këtë qeveri. Edhe Grupi Parlamentar i PASOK ka miratuar me debate propozimin e kreut të partisë, Evangelos Venizelos, që partia të mbështesë qeverinë e re, pa ofruar pjesëmarrjen e stafit parlamentar. Ju uroj sukses, sepse problemet që keni përpara janë të shumta, i tha Presidenti Papulias kreut të Demokracisë së Re, Samaras, ndërsa ai bëri betimin si Kryeministër. Ndërsa Samaras premtoi se qeveria e qëndrueshme e koalicionit do ti japë vendit stabilitet. Kryeministri i qeverisë së përkohshme, Panajotis Pikramenos, gjatë dorëzimit të detyrës i tha Samaras se ka mbështetjen e të gjithëve për detyrat e vështira që ka përpara kabineti i tij. Ju keni shumë beteja përpara, por nuk jeni vetëm. Ia kemi borxh vendit dhe vetes, tha Pikramenos. Ndërsa Samaras pohoi se ishte i vetëdijshëm për kushtet. Anëtarët e tjerë të qeverisë së re të Samaras pritet të betohen sot. Pasdite Kryeministri Samaras dhe liderët politikë të partive të koalicionit qeverisës u takuan me ministrin aktual të Financave, Jorgos Zanias, i cili sot përfaqëson Greqinë në takimin e eurogrupit. Kryetari i Bankës Kombëtare Greke, Vasilios Rapanos, pritet të jetë ministri i ri i Financave. Qeveria e shpëtimit kombëtar pritet të ketë 15 ministra dhe 20 zëvendësministra. Objektivat e saj, sipas Samaras, janë mbajtja e vendit në eurozonë dhe rinegocimi i memorandumit të masave të kursimit, për të kërkuar lehtësim të tyre.
Obama
Presidenti Barak Obama, pas takimit të G20-ës, u shpreh i bindur se udhëheqësit europianë mund të zgjidhin problemet ekonomike të kontinentit. Udhëheqësit e G20-ës pranuan në deklaratën e tyre përfundimtare se ekonomia globale është e ndjeshme dhe se po pëson një ndikim negativ në jetën dhe punën e njerëzve të zakonshëm. Ata ranë dakord të punojnë së bashku për të zgjidhur tensionet e tregut financiar duke shtuar mundësitë për njerëzit e vendeve në zhvillim, por pa detajuar plane konkrete.