Thaçi largon Tahirin nga dialogu me Serbinë
PRISHTINE- Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk është më përfaqësuese e Kosovës në dialogun me Serbinë. Kryenegociatorja kosovare është lënë jashtë këtij procesi nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi.
Dje lehtësuesi i dialogut teknik, Robert Cooper, ka qëndruar në Prishtinë dhe eshte takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, por pjesë e këtij takimi nuk ka qenë edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Burime të Express kanë thënë se në këtë mënyrë po paralajmërohet përfundimi i dialogut teknik me Serbinë dhe fillimi i atij politik. Në procesin e ri, Edita Tahiri nuk do të jetë më përfaqësuese e Kosovës.
Por, lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper, gjatë takimit me kryeministrin ka folur ekskluzivisht vetëm për dialogun teknik, pasi që edhe vetë ai nuk është e sigurt nëse do të ndërmjetësojë procesin më të avancuar të bisedimeve, që do të bëhet ndërmjet dy të besuarve të dy kryeministrave të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Sipas burimeve të gazetës, dialogu politik duhet të presë derisa në Serbi të zgjidhet qeveria e re, kryeministër i së cilës, sipas paralajmërimeve, pritet të jetë ish-presidenti Boris Tadic. Sipas burimeve, presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliq, gjatë vizitës që ka pasur në Bruksel, ka shprehur gatishmëri që të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, por ka preferuar që vazhdimi i procesit të bëhet ndërmjet dy qeverive.