E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Hetim vdekjes së Asanajt! VV: Çështja u mbyll me urgjencë

Dino Asanaj

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar se do të hetohen të gjitha rrethanat e vdekjes së kreut të Agjencisë së  Privatizimeve në vend, pas rritjes së dyshimeve mbi rezultatin e autopsisë, që e cilësoi vetëvrasje vdekjen e tij. Mbledhja e qeverisë së Kosovës dje nisi me një minutë heshtje, në shenjë nderimi për vdekjen e kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino Asanaj. Me këtë rast Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të hetojnë shkaqet e vdekjes së Asanajt, duke shtuar se do të shqyrtohet çdo rrethanë, faktor apo shantazh për vdekjen e tij. Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar autoritetet për terr informativ ditën e vdekjes së Asanajt, që u duk si një mbyllje e shpejtë e çështjes… Me shpejtësi marramendëse, incidenti u vlerësua si vetëvrasje. Sipas raportit të autopsisë, Dino Asanaj kishte goditur vetën me thikë njëmbëdhjetë herë, duke i shkaktuar kështu vetes plagë fatale. Kjo sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore ishte konkluduar, sepse nuk kishte pasur shenja rezistence në trupin e tij. Raporti i Autopsisë Ligjore u shpalos në media dhe ende nuk është dorëzuar zyrtarisht. Asanaj u varros menjëherë të nesërmen me shumë ngut, për të shtuar dyshimet e qytetarëve mbi arsyet e vërteta të këtij krimi dhe prapaskenave të mundshme të (vetë)vrasjes së Asanajt, sipas Vetëvendosjes. Lëvizja VV thotë se në raste të tilla të një vdekjeje misterioze pas 11 plagëve me thikë, pas ndërrimit të duarve me të cilin është goditur viktima, pas gjetjes së barnave në tavolinën e tij, tregon se obduksioni, hetimi dhe analiza e rrethanave (raportet toksikologjike etj.) do të kërkonin shumë më tepër kohë para se i ndjeri të varrosej. Koha ditore raportoi ndërkohë se në familjen e Dino Asanajt gjatë 20 viteve të fundit kanë ndodhur 3 raste vetëvrasjes. Anëtarët e tjerë të familjes që kanë kryer vetëvrasje, ishin motra dhe babai i tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›