E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia ndërpret pensionet e të huajve

Organizmi më i madh grek i sigurimeve shoqërore, IKA, me anë të një qarkoreje të re, ka ndërprerë menjëherë pensionet e shtetasve të huaj, të cilët i kanë përfituar ato duke punuar vetëm disa vjet në Greqi, por tashme jetojnë në vendet e prejardhjes së tyre.

Lajmin e publikon e përditshmja “Ta Nea”, e cila sqaron se pas kontrolleve të kryera nga specialistë të këtij organizmi, është konstatuar se shumë të huaj, në përgjithësi të moshuar nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Gjeorgjia, që emigronin në Greqi, me vetëm një vit e gjysmë punë përfitonin të drejtën e pensionit dhe shtesa të tjera.

Ndërsa deklaronin se jetonin në Greqi dhe merrnin pensionin e plotë prej 600 eurosh, ata në të vërtetë jetonin në vendet e prejardhjes së tyre.
Numri i këtyre të siguruarve shkonte në mbi 10 000 vetë, ndërsa dëmi përllogaritet në 40 milionë euro. Sipas gazetës, ishin krijuar edhe disa zyra, të cilat me një shpërblim prej 1 mijë eurosh bënin të mundur nxjerrjen e dokumenteve për pension, ku përfituesit deklaronin adresa të rreme brenda shtetit grek.

Sipas qarkores së re, nëse këta të huaj duan të marrin pensionet e tyre, ata duhet të kthehen të jetojnë në Greqi, të paktën për një periudhë kohore prej pesë vjetësh nga dita e daljes në pension.
Policia do të kontrollojë shpesh herë vërtetësinë e adresës, ndërsa do të kërkohet prej përfituesve edhe deklarata e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Edhe organizmi tjetër i sigurimeve shoqërore, OGA, nga i cili përfitojnë pensionet homogjenët grekë nga Shqipëria, ka kryer muajt e fundit kontrolle për vërtetësinë e të dhënave të pensionistëve, shumë prej të cilëve jetojnë në Shqipëri, por përfitojnë rregullisht pensionin minimal të këtij organizmi.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›