E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në grevë 24 orëshe kundër privatizimeve

ATHINE-Greqia është përfshirë sot nga një grevë të përgjithshme 24 orëshe, organizuar nga sindikatat e sektorit shtetëror dhe privat, ndërkohë që një tubim masiv u mbajt paradite në qendër të Athinës, te sheshi qendror Sintagma.
Me parrulla të mëdha ku shkruhet "Jo, nuk shitemi”, “Trojka të ikë nga Greqia”, “Edhe ata që janë pushuar nga puna kanë shpirt”, protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kërkesave detyruese të Trojkës për daljen nga kriza ekonomike nëpërmjet privatizimit të disa sektorëve të rëndësishëm shtetërorë në vend dhe pushimeve nga puna.
Puna ka ndaluar sot në transportin publik, në autobusë, metro, trena, porte, gjë që shkakton pengesa të mëdha për pasagjerët.
Punëtorët e portit kanë njoftuar gjithashtu një grevë 48-orëshe të enjten dhe të premten duke treguar në këtë mënyrë kundërshtimin e tyre për privatizimin e porteve publike.
Të mbyllura janë për disa orë sot edhe dyert e spitaleve publike ashtu sikundër do ndalojnë punën përkohësisht punonjësit e gjykatave, të shërbimeve postare, atyre që lidhen me energjinë elektrike, telefoninë, ujësjellësin dhe punonjësit e televizioneve shtetërore.
Reagimet e sindikatave do të vazhdojnë në ditët e ardhshme dhe sipas njoftimeve, protesta do mbërrijë kulmin më 15 qershor, pas një grevë tjetër 24 orëshe.
Ndërkaq, rreth orës 13 00 protestuesit marshuan dhe u mblodhën në sheshin Sintagma në Athinë duke hedhur parrullat e tyre e duke protestuar kundër planeve të shitjes dhe pushimet nga puna.
Edhe në Selanik ka grumbullime të mëdha njerëzish në qendër. Në Kullën e Bardhë, një objekt që është symbol për qytetin e Selanikut, është varur gjithashtu një parrullë gjigande me mbishkrimin “Shitet” për të satirizuar planin e privatizimeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›