E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Fehmiu tentoi te 'vetevritej' edhe kur ishte femije

PRISHTINE-Panairi i 13-të Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë, ka shënuar edhe librin më të shitur të tij. Romani autobiografik "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme", i aktorit të njohur Bekim Fehmiu, është më i kërkuari. Të martën paradite ai ka shënuar të 238-in blerës të tij, roman i sjellë në shqip nga Botimet 'KOHA'. Rrëfimi i shkrirë në libër, i cili tregon jetën e Bekim Fehmiut prej kujtimit të parë në Sarajevë (ku u lind më 1 qershor të vitit 1936), e deri në audicionin për t'u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku do të niste rrugën drejt famës, ka zgjuar kureshtjen e madhe te vizitorët që kanë frekuentuar Panairin që nga dita e tretë e këtij muaji. Për vetëm tri ditë janë shitur më se 250 kopje të këtij libri, i cili është njëri nga 16 titujt e rinj, me të cilët 'KOHA' është prezantuar në Panairin e Librit. "Ka lexues që nuk kanë blerë vetëm një kopje të këtij libri. Kjo nuk ndodh shpesh", - kanë thënë shitësit. Edhe Besian Zeneli, një nga organizatorët e Panairit të 13-të Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë, ka thënë se "E shkëlqyeshme..." s'ka konkurrencë. "Ndër kryetitujt që janë spikatur ka qenë libri i Bekim Fehmiut, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë", - ka thënë Zeneli. "Pa pikë dyshimi është libri më i shitur, sepse e kam parë vetë që 1 në çdo dy veta ka dalë nga panairi me këtë libër", - ka shtuar ai. Por jo vetëm kaq. Romani autobiografik i sjellë për herë të parë në shqip, pas botimit të tij në serbisht më 2004-ën, ka zgjuar debat.
Libri
Arben Morina (18 vjeç), i cili thotë se po përgatitet të regjistrohet për aktrim në Fakultetin e Arteve, teksa u ndal para stendës së Botimeve 'KOHA', pyeste shokun e tij nëse e kishte ditur se Bekim Fehmiu kishte tentuar të "vetëvritej" qysh fëmijë. E një histori si kjo dhe shumë më shumë zënë vend në "E shkëlqyeshme....". Por kërkesat për librin e aktorit të njohur, i cili u vetëvra më 15 qershor të vitit të kaluar, kanë vërshuar para se ai të dilte në treg. "Libri është kërkuar disa ditë para Panairit, kur ka dalë lajmi. Ka qenë një lajm që i ka gëzuar shumë lexuesit, sepse dihet kush është Bekim Fehmiu dhe vdekja e tij e riaktualizoi edhe një herë më shumë emrin e tij", - ka shtuar Zeneli. Pikërisht vdekja e tij në nëntor të vitit të kaluar, në Panairin e 55-të të Librit në Serbi e riktheu këtë libër në listën e më të shiturve. Atje u ribotua gjashtë vjet pas botimit të parë. Në librin "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" të Bekim Fehmiut - siç shkruan në parathënie Bardh Rugova, redaktori i botimit në shqip - ka thjeshtësi. Ai është rrëfim "që të bën ta përjetosh dhembjen e goditjes dhe dhimbjen e emocionit". "Një përfytyrim i rrugëve ku fëmijët lozin, apo një pamje e një personi në berberhane", shkruan Rugova në parathënie.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›