Greqia në hall me papunësinë
Shkalla e papunësisë në Greqi ka shënuar ngritje për muajin e shtatë radhazi, në rekord të ri prej 15.1 për qind.
Autoriteti i statistikave të Greqisë (ELSTAT) ka bërë të ditur të enjten se në janar të këtij viti është shënuar rritje e papunësisë prej 14.8 për qind sa ishte në dhjetor, në 15.1 për qind.
Sipas kësaj shifre numri i të papunëve në Greqi është 756,800. Në janar të vitit të kaluar papunësia kishte prekur shkallën prej 11.3 për qind, ose 567,100 të papunë.
Greqia është pajtuar për të ndërmarrë një sërë masash kursimi në shkëmbim të ndihmës prej 110 miliardë euro nga ana e Bashkimit Evropian dhe FMN-së në maj 2010, për të evituar bankrotimin pas zhytjes në krizën financiare.
Qeveria socialiste pritet të bëjë publike këtë javë programin 2012-15 për shkurtimet e reja buxhetore, në përpjekje për të kursyer 23 miliardë euro.