Greqia nuk duron dot më
Greqia është në prag të kolapsit, ndërkohë që Ministrit i Rendit ka deklaruar se populli grek është sforcuar deri në limit për të plotësuar kërkesat e BE dhe FMN-së. Christos Papoutsis tha se Greqia ka bërë përpjekje supernjerëzore për këto masa dhe njerëzit nuk durojnë dot më.
BBC raporton se pak më herët se shefat e eurozonës kanë anuluar një takim me zyrtarët grekë, duke kërkuar më shumë shkurtime dhe garanci në këmbim të paketës së shpëtimit.
Parlamenti grek miratoi të tjera shkurtime në fundjavë, pavarësisht dhunës që shpërtheu në vend.
Por ministrat e eurozonës kanë kërkuar të tjera shkurtime në masën 325 milion euro. BE ka kërkuar gjithashtu një angazhim me shkrim se këto shkurtime do të zbatohen pavarësisht se kush fiton në zgjedhjet e përgjithshme që do mbahen në prill.
Por Antonis Samaras, partia e të cilit Demokracia e Re pritet të fitojë zgjedhjet, nuk ka pranuar fillimisht të nënshkruajë një deklaratë angazhimi. Raportet e mëvonshme thonë se ai mund të ketë nënshkruar një letër, por sërish mbetet e pakonfirmuar.
Ekonomia e Greqisë është në recesion prej pesë vitesh. Në tremujorin e fundit ajo u kontraktua me 7 përqind.
