Sapo u përmend emri i Gani Dizdarit, u dekonspirua hetimi i prokurorisë
Pavarësisht se Prokuroria e Fierit kishte marrë disa herë leje në Gjykatën e Fierit për të kryer përgjimet ndaj personave që hetoheshin për ndikim në Gjykatën e Lartë, dhe pavarësisht se ishin kryer disa transkriptime të bisedave, nuk kishte pasur dekonspirim të hetimit. Por gjithçka ndryshoi në ditën kur prokuroria u detyrua për shkak të procedurës që të vërë në dijeni për identitetin e personave të përfshirë në hetim, raporton e përditshmja Shqip.
Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën burime pranë organit të akuzës që thonë se edhe pse ishin kryer dhjetëra përgjime, hetimet nuk ishin dekonspiruar deri ditën kur ata raportuan pranë Gjykatës dhe Policisë së Shtetit për kë hetonin.
Përgjuesi i vendosur në veturën e Renato Mellarajt pritej të ofronte prova të pakundërshtueshme. Por dekonspirimi ka prishur të gjitha planet e prokurorisë.